Kishin përshtatur ambientet për kultivim droge, shpallen në kërkim 2 persona në Shkodër. Procedohen dy punonjësit e OSSHE

Aktualitet | 10 muaj më parë

Policia e Shkodrës ka goditur 10 raste të përshtatjes së ambienteve për kultivim të bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit “Neonët”, policia ka zbuluar një tjetër ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike ndërsa ka shpallur në kërkim 2 shtetasit që dyshohet se kishin përshtatur banesën në lagjen “Ndoc Mazi”, për të kultivuar bimë narkotike me pajisje elektrike që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.  

Pas këtij aksioni janë proceduar penalisht edhe 2 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre, dhe 1 shtetase tjetër, për moskallëzim krimi, ndërsa janë sekuestruar 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, 1 pistoletë sportive pneumatike, municion luftarak, 1 automjet dhe 4 celularë.

“Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, me pajisje elektrike, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: -B. C., 33 vjeç dhe G. A., 63 vjeç, të dy banues në Shkodër, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim; -E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (banesë) në lagjen “Ndoc Mazi”, që ishte përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis. Nga kontrollet në këtë ambient, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve e tyre dhe 4 celularë.

Gjithashtu, nga kontrolli në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me banesën ku kultivoheshin bimët narkotike, i cili është ndaluar më datë 11.12.2025, si i dyshuar për disa vepra penale, u gjetën 1 pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe 1 automjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.  Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme