Klodian Braho prezanton vizionin për SPAK: Hetime ndaj zyrtarëve të lartë dhe konfiskim prej 18.4 mln euro, sa dyfishi i buxhetit të institucionit

Aktualitet | 11 muaj më parë

Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hyrë në fazën përfundimtare.

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, këtë të enjte më 11 dhjetor, kandidati i katërt dhe i fundit, prokurori Klodian Braho, prezantoi platformën e tij, duke shpalosur vizionin për drejtimin e institucionit dhe duke evidentuar disa nga hetimet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Me një eksperiencë 18-vjeçare në sistemin e drejtësisë, Braho e nisi fjalën e tij duke falënderuar për mundësinë për të paraqitur idetë mbi konsolidimin e mëtejshëm të SPAK.

Ai kujtoi se rrugëtimi i tij ka nisur nga Shkolla e Magjistraturës, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera, dhe se prej ditës së parë të funksionimit të SPAK është pjesë e kësaj strukture.

“Kam rreth 18 vite në sistemin e Prokurorisë dhe kam ushtruar funksionin e prokurorit në disa zyra të ndryshme të vendit. Prej ditës së parë të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme jam pjesë e kësaj strukture. Në çështjet penale që kam hetuar, kam kërkuar konfiskimin e pasurive që shkojnë në miliona euro. Vetëm në vitin 2023 u konfiskuan 18.4 milionë euro që i përkisnin një organizate kriminale, kjo shumë është sa dyfishi i buxhetit të SPAK në 2023. Vizioni im përfshin organizimin dhe konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme. Askush nuk do të jetë mbi ligjin,” deklaroi Braho.

Ai solli në vëmendje rastin e konfiskimit të 18.4 milionë eurove në vitin 2023, duke e cilësuar si një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës së tij dhe duke theksuar se kjo shumë ishte sa dyfishi i buxhetit të SPAK në atë kohë.

Braho vuri një theks të veçantë tek roli i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke e konsideruar atë si një strukturë kyçe për efikasitetin e SPAK.

“Kam vlerësuar që Prokuroria e Posaçme ka nevojë për krijimin e një sektori të veçantë për analizën e informacionit. Ky sektor duhet të kryejë analiza kriminale, të shërbejë për matjen e riskut si edhe të prodhojë raporte periodike. Ngritja e sektorit të analizës është një hap i domosdoshëm. Për sektorin financiar do të merren masa që hetuesit të pajisen me programe të specializuara, ndërsa për ekspertizën është e nevojshme pajisja me mjetet më moderne. Brenda BKH duhet të ketë një njësi të veçantë që të jetë në gjendje të realizojë veprime operacionale të përgjimit. Trajnimi i personave përkatës do të rrisë efikasitetin. Në bashkëpunim me drejtorin e BKH, ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe teknike do të bënte të mundur realizimin e pavarësisë operacionale. Ideja ime është që Byroja, e cila pritet të bëhet me 100 hetues, duhet të shndërrohet në një strukturë proaktive,” u shpreh ai.

Duke folur për vizionin e tij, Braho theksoi se kandidimi i tij lidhet ngushtë me angazhimin për të luftuar korrupsionin dhe për të konsoliduar më tej institucionin.

“Kandidimi im për të marrë drejtimin e SPAK është një angazhim për të luftuar korrupsionin. Plani im për konsolidimin e institucionit bazohet në disa pika të qarta. Gjatë karrierës sime kam hetuar edhe zyrtarë të lartë dhe kam qenë pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në periudhën 2016–2019. Vizioni im është të konsolidoj më tej punën e SPAK dhe të garantoj që ushtrimi i ndjekjes penale të sigurojë barazinë para ligjit,” tha ai.

Në fund, Braho u ndal tek rëndësia e respektimit të dokumenteve strategjike të miratuara nga SPAK dhe tek mbështetja e pavarësisë së prokurorëve.

“SPAK ka një kornizë strategjike të miratuar, përfshirë planin strategjik, strategjinë e komunikimit dhe strategjinë për reduktimin e çështjeve të mbartura. Do të marr masat për ndjekjen e zbatimit të këtyre dokumenteve në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Do të garantoj zbatimin e parimit të barazisë para ligjit, duke shmangur perceptimet për drejtësi selektive. Në cilësinë e drejtuesit, nëse do të zgjidhem, do të mbështes secilin prokuror, të pandikuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm. Çdo çështje për korrupsion dhe krimin e organizuar do të shoqërohet me hetim pasuror dhe do të organizohen trajnime të veçanta për hetuesit,” përfundoi Braho.

Pas prezantimit të platformës së tij për drejtimin e SPAK, prokurori Klodian Braho iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vënë në dukje pikat e forta dhe sfidat që sheh në të ardhmen. Ai theksoi se përvoja e tij e gjatë në hetimin e veprave penale të korrupsionit përbën bazën e forcës së tij profesionale, ndërsa komunikimi publik mbetet një aspekt që kërkon më shumë vëmendje.

“Si pikë të fortë do të përmend eksperiencën time të gjatë në hetimin e korrupsionit. Që prej vitit 2012 jam marrë kryesisht me këtë vepër penale dhe kam pasur qetësinë, qartësinë dhe maturinë e nevojshme, jo vetëm njerëzore, por edhe procedurale, për të çuar hetimet deri në fund. Ndërsa sa i përket pikës së dobët, do të jem i sinqertë: prokuroria nuk ka qenë më parë nën këtë lloj vëmendjeje publike që ka sot SPAK. As ne si prokurorë nuk kemi qenë të përgatitur për këtë nivel komunikimi me publikun dhe median. Mendoj se ky është një aspekt ku duhet të përqendrohem më shumë në të ardhmen, sepse drejtuesi është ai që përfaqëson institucionin, ndërsa prokurorët nuk e kanë pasur gjithmonë këtë mundësi,”

Karriera e Klodian Brahos

Ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës me rezultate të shkëlqyera.

Ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Beratit dhe më pas në Prokurorinë e Vlorës, ku ishte pjesë e njësisë Task Forcë dhe për dy vite drejtues i saj, si dhe zëvendësdrejtues i prokurorisë.

Nga viti 2016 deri në 2019 ka punuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si pjesë e njësisë për hetimin e korrupsionit dhe pasurisë, me kompetencë mbi zyrtarë të lartë shtetërorë, të zgjedhur vendorë dhe funksionarë të drejtësisë.

Prej ditës së parë të funksionimit të SPAK është pjesë e kësaj strukture. Që nga prilli 2023 mban detyrën e Drejtuesit të Seksionit Kundër Korrupsionit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme