Koçiu: Në portin e Sarandës dhe Durrësit do aplikohet sistemi e-Gate për menaxhimin e fluksit turistik

Aktualitet | 6 muaj më parë

Nga qyteti i Sarandë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu prezantoi planin e masave të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të suksesshëm në të gjithë vendin.

Koçiu deklaroi se në Porti i Sarandës janë marrë të gjitha masat për të menaxhuar fluksin e turistëve, për të lehtësuar lëvizjen, shmangur vonesat dhe garantuar siguri maksimale gjatë sezonit veror.

Sipas saj, ndonëse numri i turistëve në Shqipëri është dyfishuar dhe trefishuar gjatë pesë viteve të fundit, vendi ka arritur të shmangë problematikat që lidhen me menaxhimin e flukseve turistike. Ajo theksoi se, ndërsa sistemi i ri europian i kontrollit kufitar ka krijuar radhë dhe vonesa në disa vende të Bashkimit Europian, Shqipëria po vlerësohet si një shembull pozitiv për mirëmenaxhimin e kufijve dhe mungesën e radhëve.

“Në një vend ku numri i turistëve është dy- fishuar, tre – fishuar në pesë vitet e fundit, problemi i menaxhimit të fluksit turistik do të ishte mëse i mundshëm.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur, madje, në një kohë kur sistemi i ri Europian i Kontrollit Kufitar po krijon radhë dhe vonesa të mëdha në vendet e BE, Shqipëria është cilësuar nga shumë burime si një shembull për mirëmanaxhimin e kufirit dhe mungesën e radhëve. Ky shembull i vendosur nuk është rastësi, por produkt direkt i një pune shumë voluminoze të institucioneve tona.

Çdo vit, plani i masave është bërë edhe më i detajuar, duke shoqëruar hap pas hapi rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve që zgjedhin si destinacion Shqipërinë”, tha Koçiu.

Ajo renditi disa nga masat kryesore të marra nga institucionet përgjegjëse, mes tyre shtimi i sporteleve, caktimi i kalatave të dedikuara për anijet turistike dhe lehtwsimi i procedurave tw kalimit kufitar.

“Policia e Shtetit, Policia Rrugore, Policia Kufitare, të gjithë institucionet e tjera kanë nisur dhe kanë vendosur në zbatim një plan masash duke filluar nga:

-Shtimin e sporteleve dhe personelit në detyrë në pikat e kalimit kufitar.

-Përmirësimin e sinjalistikës rrugore.

-Caktimin e kalatave të dedikuara për anijet turistike.

-Lehtësimin e procedurave të kalimit të kufirit.

-Si dhe patrullim i vazhdueshëm i hapësirave bregdetare për të garantuar sigurinë në det nga mjetet lundruese.

Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikëseve është përgatitur gjithashtu për të përballuar çdo situatë, sidomos sa i përket mundësisë së vatrave të zjarrit. Shërbimi Kombëtar i Urgjencës, si dhe MSHMS, kanë zgjeruar më tej programin e tyre të suksesshëm të Qendrave Shëndetësore Verore.

Ministria e Kulturës, po vendos në funksion një seri eventesh dhe ngjarjesh të larmishme kulturore. Gjithashtu  institucione të tjera të varësisë si inspektoriatet, janë përgatitur për të siguruar që plani i masave të marra të zbatohet me përpikmëri”, tha ajo.

Koçiu ndaloi edhe te sistemi i ri elektronik e-Gate, i cili pritet të aplikohet së shpejti në Porti i Sarandës dhe në Porti i Durrësit. Sipas saj, ky sistem ka rezultuar shumë efikas në Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, duke reduktuar kohën e kalimit kufitar në vetëm pak minuta.

“Dy fjalë dua të them dhe për sistemin e ri që shumë shpejt do të aplikohet në Portin e Sarandës dhe atë të Durrësit.

Sistemi e-Gate, në Aeroportin “Nënë Tereza”  ka rezultuar shumë i suksesshëm në reduktimin e kohës së kalimit të kufirit në vetëm pak minuta. Saranda, është gjithmonë e më shumë një ndër destinacionet më atraktive të ofertës tonë turistike. Kam bindjen që edhe ky sezon turistik, me të gjithë organizimin dhe angazhimin e institucioneve tona do të garantojë që të kemi një sezon turistik të suksesshëm në të gjithë vendin”, u shpreh Koçiu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme