Kolumbi, Komiteti i Grevës thirrje për protesta masive antiqeveritare më 9 qershor

Komiteti Kombëtar i Grevës, i cili ka mbajtur protesta antiqeveritare në Kolumbi që nga 28 prilli, bëri thirrje për protesta masive në gjithë vendin për më 9 qershor.
Komiteti, i cili nuk arriti rezultate nga negociatat me përfaqësuesit e qeverisë, njoftoi se më 9 qershor do të protestojnë ndaj qeverisë së presidentit Ivan Duque në shumë qytete, veçanërisht kryeqytetin Bogota.
Qeveria kërkon heqjen e barrikadave dhe bllokadave në rrugë si kusht për t’u pajtuar me përfaqësuesit e protestës në radhë të parë. Komiteti, nga ana tjetër, përsëriti thirrjen e tij për pajtim, duke deklaruar se 90 për qind e bllokimeve të rrugëve të ngritura nga protestuesit në qytete të ndryshme të vendit janë hequr.
Sipas raportit të fundit të botuar nga Zyra e Ombudsmanit të Kolumbisë mbi protestat që po zhvillohen tashmë 36 ditë, 48 persona, përfshirë dy oficerë policie, kanë humbur jetën dhe më shumë se 2.000 njerëz janë plagosur në protesta.
Së fundmi studentët mbajtën demonstrata paqësore në kryeqytetin Bogota, megjithëse ritmi i protestave ka rënë në vend.
Ndryshe, në ditën kur protestat përfunduan muajin e parë, mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë vendin në 28 maj për të protestuar kundër qeverisë. 13 njerëz u vranë në incidentet në Cali, 185 u plagosën në Bogota dhe 16 njerëz u plagosën në Medellin.
Pasi disa prej grupeve të aktivistëve dëmtuan bankat, stacionet e autobusëve dhe bizneset, oficerët e policisë nga njësia e reagimit ndaj incidenteve ESMAD ndërhynë me gaz lotsjellës kundër demonstruesve.
Pas takimit të presidentit Ivan Duque me zyrtarët lokalë në Cali më 28 maj, ushtarët morën masa paraprake në rrugët dhe sheshet e rëndësishme të qytetit./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




