Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve gjobit kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se ka gjobitur kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako. Ajo është gjobitur me shumën 100 mijë lekë, për shkelje të kryera gjatë fushatës elektorale, për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Sako u denoncua nga ‘Qëndresa Qytetare’, pasi ajo ka përdorur ambientet e një shkolle publike, shkolla ‘Armath’ në Durrës, për të bërë organizime elektorale. KQZ ka gjobitur dhe drejtorin e kësaj shkolle, Vlash Doda, me 50 mijë lekë.
“Komisioneri shpalli edhe vendimin për shqyrtimin administrativ të denoncimit të “Organizatës Qendresa Qytetare”, për shkelje të parashikuar në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndaj Drejtorit të Shkollës 9-Vjeçare “Armath” dhe kandidatit për kryetar bashkie në bashkinë Durrës zj. Emiriana Sako, propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Komisioneri vendosi sanksionin administrativ me gjobë ndaj Drejtorit të Shkollës 9-Vjeçare “Armath” z. Vlash Doda në shumën 5 000 (pesë mijë) lekë dhe sanksionin administrativ me gjobë ndaj kandidatit për kryetar bashkie në bashkinë Durrës, të propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, zj. Emiriana Sako në shumën 100 000 (njëqind mijë) lekë.”, njofton Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




