Komisioni i Ekonomisë voton pro Denar Bibës, si kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, Braçe kundër

Me kritika dhe debate, Komisioni i Ekonomisë ka votuar pro emërimit të Denar Bibës, në krye të Autoritetit të Konkurrencës, i cili aktualisht është anëtar i komisionit të këtij institucioni. Mes zërave kundër zotit Biba ishte edhe deputeti socialist, Erion Braçe. Ky i fundit u shpreh me rezerva për integritetin e tij, teksa theksoi se Biba po ashtu nuk ka asnjë lidhje me fushën ku po ngarkohet me përgjegjësi.
“Denar Biba nuk ka qenë asnjëherë funksionar i PS, as anëtar i PS, as deputet i saj, as kryetar organizate. Detyra e kryetarit të Komisionit të Zgjedhjeve nuk është politike, është kushtetuese. Nëse gjykojmë nga ky aspekt, për mua ky zotëria nuk është njeri politik, aq më tepër i PS. Zotëria ka qenë në një detyrë shtetërore dhe në këtë detyrë kam rezervat e mia, për të gjithë institucionin e Prokurimit Publik të asaj kohe, që është shkarkuar i gjithi. Për mua kandidatura e zotërisë, nuk e kam votuar as kur u bë anëtar i Autoritetit të Konkurrencës. Njeh shumë mirë fushën e zgjedhjeve, të drejtën Kushtetuese, por në këtë lëmin për të cilin po e ngarkojmë me përgjegjësi, ashtu si në atë lëmin e Prokurimeve Publike që e ngarkuam me përgjegjësi, nuk ka njohje. Kam rezerva për integritetin e zotërisë”, tha Braçe.
Jo i përshtatshëm për të drejtuar këtë institucion, Denar Biba është konsideruar edhe nga opozita.
“Nuk gjykojmë se zotëria do të ketë besimin të një pjese të mirë që ai është personi i duhur për ta udhëhequr këtë institucion. Është i akuzuar nga një anëtar i gjykatës së Strasburgut për ndërhyrje në një çështje në GJEDNJ”, pohon Alfred Rushaj.
“Ka institucione që ne i quajmë të pavarura, ndërkohë që janë thellësisht politike, dhe ky është rasti tipik i emërimit të një njeriu politik”, tha Edmond Spaho.
Pavarësisht 4 votave kundër të Braçes dhe opozitës ,Denar Biba kaloi për miratim në Kuvend, ku pritet të jepet vendimi përfundimtar, nëse do të marrë apo jo drejtimin e këtij institucioni dhe të zëvendësojë kryetaren aktuale, Juliana Latifi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




