Komisioni i Rithemelimit në selinë e PD, Ndoka : PD do të shikojë përpara!

Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD kanë shkruar mesditën e së shtunës për të vlerësuar ndryshimet e kryera brenda saj nga ish kryetari i PD Lulzim Basha.
Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu provuan njëra pas tjetër dyert e blinduara, për heqjen e të cilave u shprehën se do të duhen disa javë. “Çbunkerizimi i PD dhe rrugën me çdo demokrat nga më i thjeshti në bazë deri te deputetët në qendër e kemi së bashku. Pas çbunkerizimit, kjo seli do i kthehet aktivitetit normal, do jetë e hapur për çdo demokrat, ajo që ka kaluar do i përkasë të shkuarës, do e hedhim pas” tha deputeti Flamur Noka.
“Nuk do të dëshiroja as ta kujtonim atë që ka kaluar PD, duhet të shohim para sepse nuk mund të rrimë peng i hijes së bunkerit dhe as mentaliteteve të vjetra të përçarjes. Beteja do të jetë me regjimin që po i pi gjakun shqiptarëve” shtoi ai.
Për zotin Noka “PD nuk do jetë më parti as e bravave as e blindave, por parti e hapur për të gjithë, për Lulzim Bashën që do jetë një nga kolegët tanë dhe për çdo tjetër që kërkon të kontribuojë në parti. Do kemi takime kafe miqësore me Alibeajn sepse jemi kolegë, ndajmë të njëjtat shqetësime. Jemi të hapur për çdo gjë, nuk na ndan asgjë, vetëm ndarje nuk kemi tashmë, gjithçka në funksion të bashkimit. Jemi në kontakt dhe do takohemi. Kemi rënë dje dakord për të vijuar me mbledhjen e grupit dhe absolutisht që grupi parlamentar do mblidhet” paralajmëroi zoti Noka.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




