Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton 2 projektligje me vlerë miliona euro

Ekonomi | 6 vite më parë

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e radhës dy projektligje, atë “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri”, si edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”.

Kesjana Halili, Drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit, u shpreh gjatë prezantimit se projektligji i parë “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri”, synon ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri, në shumën prej 60 milionë eurosh.

“Shuma totale e financimit të programit është 100 milionë euro, nga ku: 40 milionë euro grant dhe 60 milionë euro hua”, theksoi Halili.

Relatori i projektligjit Vullnet Sinaj, tha se ky program synon rritjen e kontributit të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe do të zbatojë e testojë modelin e zhvillimit ekonomik lokal të udhëhequr nga turizmi në territoret e bashkive: Fier, Berat, Shkodër e Korçë, i përqendruar në një numër të modeleve pilot të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe mjeteve të destinacioneve të tjera lokale.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi. Po ashtu, të ftuar “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri” ishin Gelardina Prodani, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Kesjana Halili,  Drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Prodani gjatë prezantimit u ndal tek objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet këtij projektligji, që janë parandalimi, zbulimi dhe reagimi ndaj rrezikut që paraqet COVID-19, si dhe fuqizimi i sistemeve kombëtare të gatishmërisë së shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje ka të bëjë me 3 shtylla kryesore si: fuqizimin e funksioneve kryesore të shëndetit publik për frenimin, parandalimin e përhapjes së COVID-19, fuqizimin e sistemit shëndetësor për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të COVID-19 dhe sëmundjeve, që lidhen me të dhe së treti mbështetjen për masat e distancimit fizik dhe komunikimin në distancë”, theksoi ndër të tjera Prodani.

Pas diskutimeve, sugjerimeve dhe komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi. /rtsh.al

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme