Konferenca e donatorëve për Ukrainën, Shqipëria kontribuon me 1 mln euro

Politikë | 5 vite më parë

Shqipëria do të kontribuojë për Ukrainë për të kaluar krizën humanitare që ka përfshirë vendin për shkak të luftës me 1 milion euro. Gjatë Konferencës së Donatorëve që po mbahet në Varshavë të Polonisë, është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se shpreson që paqa të vij sa më shpejtë për popullin e Ukrainës.

“Do të them shumë pak fjalë, duke e nisur nga pozita e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku jemi bashkënismëtarë të rezolutës për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vende të tjera që e mendojnë njësoj. Po japim kontributin tonë për organizimin e takimeve dhe hartimin e dokumenteve lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë të Ukrainës. Nga ana tjetër, në aspektin dypalësh kemi qenë nga të parët që kemi dhënë kontributin tonë me municione për forcat e armatosura të Ukrainës dhe në të njëjtën kohë kemi miratuar të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për të lejuar qytetarët ukrainas që të vijnë në vendin tonë për periudhat kohore për të cilat kanë nevojë ose për të cilët duan të rrinë. Në këtë konferencë donatorësh Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milionë euro. E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës e të rindërtimit, por jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë mirënjohës Kryeministrave të Polonisë e të Suedisë që na bënë pjesë të saj”, tha Rama.

Në tryezën e Donatorëve përmes video-live foli edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, i cili vlerësoi këtë nismë dhe kërkoi më shumë ndihmë financiare, armatime dhe përshpejtim të anëtarësimit në BE për vendin e tij.

Konferenca e Donatorëve për Ukrainën është bashkë-organizuar nga Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki dhe Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Konferenca i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme