Konferenca e përbashkët me Sanchez/ Rama thirrje Vuçiç për tensionet në veri të Kosovës: Mos ushqe me justifikime grupe të caktuara

Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez pas takimit të mbajtur në kryeministri dhe nënshkrimit të marrëveshjes së përbashkët mes Ministrive të Brendshme të dy vendeve për krijimin e një grupi hetimi për krimin e organizuar ndërkombëtar, kanë mbajtur një konferencë për shtyp. Në fjalën e tij, kryeministri Rama ka falendëruar Spanjën për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Rama shprehu publikisht pritshmëritë që ka nga Spanja e cila do udhëheqë presidencën në 2023.
“Pas hapit historik të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, na vjen mirë dhe dëshiroj që publikisht ta falenderoj Pedron për mbështetjen pa rezervë të Spanjës në këtë proces. Kujtoj që Spanja kishte një pozicion më të ngurtë se disa të tjerë duke qenë në njëfarë mënyre më kërkuese dhe sot Spanja është tërësisht e angazhuar në mbështetje të këtij procesi dhe ka qenë një nga aktorët për të zëshëm për të çelur negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne kemi një pritshmëri nga Spanja e cila do të udhëheqë presidencën në 2023. Kemi folur me kryeministrin për rajonin të cilin ai po e viziton, për nismat rajonale, për mënyrën se si mund ta integrojmë këtë proces nismash rajonale me procesin që nis me idenë e komuniteti të ri politik evropian”, tha Rama.
Më tej kryeministri u ndal dhe te situata në veri të Kosovës duke përshëndetur vendimin e qeverisë për shtyrjen me 30 ditë të reciproritetit për targat dhe letërnjoftimet serbe.
“Kemi folur për Kosovën, dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm për arsye qe lidhen me vetë Spanjën dhe nuk kanë të bëjnë me asnjëlloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovës dhe ndaj së drejtës së tyre, por ne kemi diskutuar aq më tepër në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar. Ne e përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshje. I bëj thirrje autoriteteve në Beogard Presidentit të Serbisë, që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie me grupe të caktuara në Veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje, që duhet të zbatohet për t’i dhënë më shumë besueshmëri bisedimeve mes dy vendeve”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




