Konferenca e Sigurisë në Mynih, Merz: As SHBA-të nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar vetëm

Kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe aleancës së NATO-s në kohën e rivalitetit të fuqive të mëdha. Në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai paralajmëroi se, edhe Shtetet e Bashkuara, nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar vetëm në sfidat globale që po përballen.
Merz kujtoi se për shumë breza, besimi dhe bashkëpunimi mes aleatëve, partnerëve dhe miqve ka qenë çelësi i forcës së NATO-s dhe se Evropa e vlerëson thellësisht këtë marrëdhënie.
“Në epokën e rivalitetit midis fuqive të mëdha, as Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar vetëm. Të dashur miq, të qenit pjesë e NATO-s nuk është vetëm avantazh konkurrues i Evropës, por është edhe avantazh konkurrues i Shteteve të Bashkuara. Pra, le ta riparojmë dhe ringjallim besimin transatlantik së bashku”, tha Merz.
Ai theksoi se lidhjet e forta transatlantike janë të dobishme jo vetëm për Evropën, por edhe për SHBA-të, duke nënvizuar se është koha për ta riparuar dhe ringjallur besimin midis këtyre dy palëve.
“Ne, evropianët, po bëjmë pjesën tonë,” tha Merz, duke shprehur angazhimin e Evropës për të kontribuar më shumë në forcimin e aleancës dhe përballimin e sfidave të përbashkëta në një botë të pasigurt dhe të ndarë nga rivalitetet e fuqive të mëdha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




