Konferenca në Mynih/ Von der Leyen: Putini duhet të dështojë! Stoltenberg: T’i japim Ukrainës atë që i nevojitet për të fituar

“Ne duhet të bëjmë presion që qëllimet imperialiste të Rusisë të dështojnë dhe që Ukraina të fitojë.” Kështu deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nga Mynih. Ajo ka kërkuar vazhdimin e ndihmës, ndërsa kësaj rradhe, ka kërkuar të jetë specifikisht ajo që i duhet më së shumti Ukrainës për të fituar luftën me Rusinë.
“Dhe ne duhet të sigurohemi që Ukraina të ketë municion standard. Nuk mund të na duhet të presim muaj e vite për të dërguar obus.Ne mund të bashkojmë industrinë ushtarake të Evropës dhe të përpiqemi të kuptojmë se çfarë nevojitet.Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë që bëmë në pandemi. Kur pyetëm industrinë farmaceutike se çfarë kishte nevojë,” tha ajo.
Sikurse Von der Leyen, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka qenë pro dhënies ndihmë Ukrainës për të fituar luftën me Rusinë. Nga Mynih, Stoltenberg ka kërkuar që Kievit t’i jepet gjithçka që i duhet për ta përfunduar me fitore këtë luftë.
“Ne duhet t’i japim Ukrainës atë që i nevojitet për të fituar dhe për të mbijetuar si një komb i pavarur dhe sovran në Evropë,” tha Stoltenberg.
Mbledhja e ministrave të jashtëm të G7 zhvillohet këtë të shtunë në Mynih të Gjermanisë, e cila do të fokusohet në çështjen e mbështetjes për Ukrainën ndërsa kjo e fundit po përballet me agresionin rus.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




