Dhunuan fizikisht Shefin e Krimeve në Sarandë, arrestohen 6 persona, 1 shpallet në kërkim. Pezullohen dy efektivë policie

Aktualitet | 2 muaj më parë

Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Sarandë, ku u dhunua shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nënkomisari M. B. Për ngjarjen janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre administratori i lokalit ku ndodhi konflikti, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:20 të 16 gushtit, në rrugën “Butrinti”, në ambientet e jashtme të një lokali. Sipas Policisë, rojet e sigurisë së lokalit ishin përfshirë në një konflikt me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë.

Në atë moment, Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Sarandës, nënkomisar M.B, po kalonte me automjetin e tij në rrugë.

Pasi ka konstatuar konfliktin, ai ka ndaluar, është prezantuar si punonjës policie dhe ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Sipas Policisë, rojet e sigurisë nuk e kanë ndalur konfliktin, por kanë nisur ta godasin me grushte edhe efektivin. Ky i fundit ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të njoftojë shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.

Rreth një minutë më vonë, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë shoqëruar personat e përfshirë.

Kontrollet kanë vijuar edhe në një banesë në fshatin Gjashtë, ku u lokalizuan dhe u shoqëruan persona të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e konfliktit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, janë arrestuar M. K., 35 vjeç, administrator i lokalit, E. N., 38 vjeç, F. H., 35 vjeç, I. Ç., 34 vjeç, A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në lokal, si dhe B. S., 29 vjeç, me profesion taksist.

Ndërkohë, P. D., 28 vjeç, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti, është shpallur në kërkim.

Por ngjarja ka sjellë edhe masa ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu bëhet e ditur se, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s.

Sipas Policisë, dy efektivët punonin pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti dhe nuk kanë njoftuar shërbimet e Policisë për situatën.

“Pavarësisht se ndodheshin jashtë detyre, ata duhej të ndërhynin për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Drejtoria e Standardeve Profesionale ka dërguar një grup pune në Sarandë dhe ka nisur hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Hetimet vijojnë nga Prokuroria e Sarandës për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme