Konflikti në Sudan, OKB paralajmëron: Rrezikohet katastrofë nëse nuk ndalen luftimet

Më shumë se 100 mijë njerëz janë larguar nga Sudani që nga shpërthimi i luftimeve të ashpra midis forcave rivale më 15 prill, sipas OKB. Zyrtarët paralajmëruan për një “katastrofë të plotë” nëse luftimet nuk mbarojnë, teksa rreth 334 mijë njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda Sudanit.
Luftimet po vazhdojnë në kryeqytetin Khartoum, midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF), pavarësisht nga një armëpushim që ishte në fuqi, por që nuk u respektua.
Të hënën, i dërguari i posaçëm i OKB-së në Sudan, Volker Perthes, tha se të dy palët kishin rënë dakord të hynin në bisedime për të negociuar një armëpushim “të qëndrueshëm dhe të besueshëm”. Nëse zhvillohen bisedime, do të ishte takimi i parë mes dy palëve që nga fillimi i konfliktit. Më shumë se 500 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4,000 janë plagosur në luftimet, sipas ministrisë së shëndetësisë së Sudanit.
Shumica e shteteve evropiane kanë përfunduar evakuimin e shtetasve të tyre, por Rusia tha të martën se po dërgonte katër avionë ushtarakë për të evakuuar më shumë se 200 njerëz, duke përfshirë shtetasit e saj dhe ata nga “vendet mike”.
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Ahmed al-Mandhari tha se objektet shëndetësore janë sulmuar në Khartoum dhe disa janë duke u përdorur si baza ushtarake.
“Deri tani ka pasur rreth 26 sulme të raportuara në objektet e kujdesit shëndetësor. Disa nga këto sulme rezultuan në vdekjen e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe civilëve në këto spitale“, tha ai.
Të hënën, Koordinatori Humanitar i OKB-së në Sudan, Abdou Dieng, tha se më shumë se dy javë luftime shkatërruese rrezikojnë ta kthejnë krizën humanitare të vendit në një “katastrofë të plotë”./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




