Konflikti në Ukrainë, Erdogan pritet të ndërmjetësojë mes Putin dhe Zelenskyt

Turqia është pozicionuar me shumë kujdes për të qenë ndërmjetësi me Rusinë dhe Ukrainën – dhe kjo duket se po shpërblehet.
Të enjten pasdite, presidenti Vladimir Putin i telefonoi presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe i tha se cilat ishin kërkesat e sakta të Rusisë për një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Sipas zëdhënësin kryesor të Erdogan, Ibrahim Kalin, kërkesat ruse ndahen në dy kategori. Katër kërkesat e para, sipas Kalin, nuk janë shumë të vështira për t’u përmbushur nga Ukraina. Kryesorja midis tyre është pranimi nga Ukraina se ajo duhet të jetë neutrale dhe nuk duhet të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n; t’i nënshtrohej një procesi çarmatimi për të siguruar që ajo të mos ishte një kërcënim për Rusinë; do të duhej të kishte mbrojtje për gjuhën ruse në Ukrainë; si dhe çështja e denazifikimit.
Kategoria e dytë është ajo ku qëndron edhe vështirësia, që ka të bëjë me bisedimet ballë për ballë Putin dhe Zelensky për të cilat Erdogan i ka ftuar të dy liderët në takim në Stamboll ose Ankara.
Ndërkohë Komisioni Evropian tha këtë të premte se mirëpret përpjekjet diplomatike të Turqisë mes Rusisë dhe Ukrainës dhe se si anëtare e NATO-s ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë çështje. Një nga zëdhënësit e KE-së, Peter Stano në një konferencë ditore për media tha se “Qëndrimin e qartë të Turqisë e mirëpresim. Turqia e ka paraqitur hapur qëndrimin e saj duke dënuar këtë luftë”. Ajo ka organizuar takimin e parë mes ministrave të Jashtëm rus dhe ukrainas pas pushtimit rus. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Ministri i Jashtëm turk pak kohë më parë shkoi në Moskë dhe Lviv. Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm si partnere dhe aleate e NATO-s. Vendet tona partnere, vendet që punojnë me ne, luajnë rol të rëndësishëm për të kontribuar në presionin ndërkombëtar ku munden. Turqia ka bërë shumë gjëra në fushën e diplomacisë duke luajtur rolin e ndërmjetësit”, tha Stano. “Ne theksojmë se sa e rëndësishme është të merren masa për të ndaluar luftën e Putinit në Ukrainë. Dhe kjo është një nga gjërat që ne bisedojmë me Turqinë dhe vendet e Gjirit. Këto përpjekje vazhdojnë. Vazhdon në mënyrë të vendosur angazhimi ynë për të punuar me partnerët tanë për të krijuar një front të përbashkët për izolimin e Putinit dhe ndalimin e luftës”, tha zëdhënësi i KE-së.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




