Kongresi amerikan publikon deklaratat tatimore të Trump

Botë | 4 vite më parë

Demokratët në Kongres publikuan sot deklaratat tatimore të gjashtë viteve të ish-presidentit, Donald Trump. Kjo përbën kulmin e një përpjekjeje shumëvjeçare për të mësuar rreth financave të një manjati të dikurshëm biznesi, i cili theu dekada të precedentit politik kur refuzoi të publikonte vullnetarisht informacionin.

Publikimet, të cilat përfshijnë redaktimin e disa informacioneve të ndjeshme personale si sigurimet shoqërore dhe numrat e llogarive bankare, janë nga viti 2015 deri në vitin 2020.

Ato përfshijnë gati 6,000 faqe, duke përfshirë më shumë se 2,700 faqe për të dhënat individuale të Trump dhe gruas e tij, Melania, ndërsa 3000 kanë të bëjnë me bizneset e Trump.

Publikimi i tyre pason një votim partiak në Komitetin e Mënyrave dhe Mjeteve të Dhomës së Përfaqësuesve javën e kaluar, me qëllim për t’i bërë publike të dhënat.

Demokratët e Komitetit argumentuan se transparenca dhe sundimi i ligjit ishin në rrezik, ndërsa republikanët kundërshtuan me argumentin se publikimi do të përbënte një precedent të rrezikshëm në lidhje me “humbjen e mbrojtjes së privatësisë”.

Trump nuk i publikoi të dhënat e tij kur kandidoi për president. Ai kishte zhvilluar një betejë ligjore për t’i mbajtur ato të fshehta ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë. 

Por Gjykata e Lartë refuzoi muajin e kaluar që të pengonte Departamentin e Thesarit që t’i dorëzonte të dhënat në Komitetin e Mënyrave dhe Mjeteve për taksat.

“Demokratët nuk duhet ta kishin bërë kurrë këtë. Gjykata e Lartë nuk duhet ta kishte miratuar kurrë këtë, pasi do të çojë në gjëra të tmerrshme për shumë njerëz”,- tha sot Trump në një deklaratë për mediat.

Ai tha se publikimet tregojnë edhe një herë se sa krenar është ndjerë që ka qenë i suksesshëm dhe se si ka qenë në gjendje të përdor zhvlerësimin dhe zbritjet e taksave si  nxitje për krijimin e mijëra vendeve të punës.

Publikimi, vjen vetëm disa ditë përpara se kolegët republikanë të Trump të rimarrin kontrollin e Dhomës nga demokratët. Publikimi rrit mundësitë e zbulimeve të reja rreth financave të Trump, të cilat janë mbuluar me mister dhe intriga që nga ditët e tij të para si biznesmen i pasurive të paluajtshme në Manhattan në vitet 1980. 

Publikimet mund të marrin rëndësi të madhe tani që Trump ka nisur fushatëjn për Shtëpinë e Bardhë në 2024.

Ato ka të ngjarë të ofrojnë pamjen më të qartë të financave të tij edhe gjatë kohës që ai ishte President. Apnews

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme