Koshi dhuron spektakël në RTSH Sport

Ka dhuruar spektakël supersfida e Kampionatit Kombëtar në Basketboll për meshkuj midis Tiranës dhe Besëlidhjes, një sfidë që erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Në fakt, kjo sfidë ka vënë përballë edhe ish-trajnerin e Kombëtares, Afrim Bilalin, që drejton tashmë skuadrën lezhjane, me trajnerin aktual të koshit kuqezi, Erkand Karaj, i cili është prej disa sezonesh në stolin bardheblu.
Në fakt, dy pjesët e para të këtij takimi kanë qenë në barazpeshë të plotë, teksa 10-minutëshi i parë është mbyllur me shifrat 20-20, ndërsa ai i dyti me shifrat 22-22, çka bëri që në pushimin e madh midis gjysmave, të dyja skuadrat të shkojnë të mbërthyer në rezultatin 42-42.
Por Besëlidhja ka dalë një tjetër skuadër nga dhomat e zhveshjeve, teksa skuadra e trajnerit Bilalit e ka mbizotëruar këtë 10-minutësh, duke e fituar atë me një epërsi të dyfishtë, 31-15 dhe duke kryesuar kështu pas një gjysmëore me shifrat 73-57.
Ndonëse skuadra lezhjane ka vijuar të mbizotërojë, duke kryesuar deri në një moment edhe me 25 pikë epërsi, Tirana ka reaguar, duke e ngushtuar hendekun deri në 5 pikë, por Besëlidhja e ka mbrojtur fitoren me shifrat 96-88, duke korrur kështu fitoren e 10-të, në po aq ndeshje të këtij sezoni, ndërsa bardheblutë pësojnë humbjen e 3-të.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




