Ngërçi në Kosovë/ LVV kërkon pjesëmarrjen e opozitës në kuvend, PDK tërheq kandidaturën e Çitakut: Do presim “Kushtetuesen”

Kosovë | 2 muaj më parë

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën konstituive, ndërsa në sallë janë të pranishëm 82 deputetë, përfshirë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe disa përfaqësues të komuniteteve.

LVV ka bërë të ditur se do t’i mbështesë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, ndërsa u ka bërë thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në seancë dhe të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, tha se çështja kryesore që ka shkaktuar ngërçin lidhet me procesin e zgjedhjes së presidentit. Murati tha se Kryesia e LVV-së ka vendosur të vazhdojë me procesin e konstituimit dhe të mbështesë kandidatët e opozitës për nënkryetarë.

“Tashmë kemi një marrëveshje me LDK-në, por jo të plotë nga ana e grupit të tyre parlamentar. E patë që PDK dhe LDK nuk ishin të interesuara të ndryshojnë kandidatët, siç kemi bërë ne kur nuk votohej Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit. Ne ishim të gatshëm që, për hir të zhbllokimit, të ndryshonim kandidatët disa herë”, tha Murati

Ndërkohë, deputetja Arbëresha Kryeziu e cilësoi vendimin e LVV-së si një tjetër përpjekje për të zhbllokuar procesin dhe u bëri thirrje PDK-së dhe LDK-së të marrin pjesë në seancë. Ajo theksoi se zvarritja e procesit prek drejtpërdrejt qytetarët dhe proceset që kërkojnë vendimmarrje në Kuvend.

“Uroj që të ndërrojnë qëndrim partitë opozitare dhe të vijnë sot në seancë dhe të procedojmë tutje me procesin e konstituimit të Kuvendit”, tha ajo.

Por, ndërsa LVV ka deklaruar gatishmërinë për të votuar Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, PDK ka vendosur të tërheqë përkohësisht kandidaturën e Çitakut dhe të mos marrë pjesë në proces deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Në një shkresë drejtuar kryetares së Kuvendit, PDK ka argumentuar se procesi i konstituimit është shoqëruar me shkelje të përsëritura të detyrimeve kushtetuese.

Partia ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin dhe sqarimin e situatës së krijuar.

PDK thekson se tërheqja e kandidaturës së Çitakut është e përkohshme dhe nuk nënkupton heqjen dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme