KQZ shtyn seancën për mandatin e Belerit: Të jetë vetë prezent për pretendimet e tij

Politikë | 2 vite më parë

KQZ ka shtyrë seancën për shqyrtimin e mandatit të Fredi Belerit, i cili u zgjodh në krye të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Në nisje të seancës, avokatja e Belerit, Klodiana Gyzari, kërkoi që klienti i saj të jetë prezent gjatë shqyrtimit të mandatit të tij.

Kërkesa u kundërshtua fillimisht nga përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste. Ata u shprehën se Beleri është njoftuar mbi mbledhjen e sotme dhe për sa kohë ka ngarkuar avokaten për ta përfaqësuar, KQZ duhet t’ia shqyrtojë mandatin.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, vendosi të shtyjë mbledhjen për ditën e nesërme në orën 10:30, me qëllim që Belerit t’i mundësohet prezenca në KQZ i shoqëruar nga policët ose duke marrë pjesë në mënyrë elektronike.

“Seanca shtyhet për ditën e nesërme, ora 10:30, por do shohim si do procedojmë nëse z. Beleri do jetë fizikisht apo në mënyrë elektronike. Unë vlerësoj për shkak të interesit të ligjshëm që ka z. Beleri në këtë proces dhe përtej çdo rrethane të aspektit ligjor, dhe pse jo domosdoshmërisht kërkohet prania e palës së drejtpërdrejtë, megjithatë, mendoj që është e përligjur që të krijohet mundësia që ai drejtpërdrejt të paraqesë pretendimet e veta në lidhje me këtë çështje”, tha Celibashi.

Dy ditë para zgjedhjes si kryetar, Beleri u arrestua pasi u akuzua për shit-blerje votash dhe në krye të Bashkisë së Himarës u vendos Jorgo Goro, i cili pas 10 muajsh në krye të institucionit u arrestua pasi u akuzua se ka ndërhyrë për të tjetërsuar prona në favor të të tretëve në mënyrë që të përfitonte më pas statusin e investitorit strategjik. E pas arrestimit të Belerit e Goros, kryetar i komanduar i Bashkisë së Himarës u zgjodh Arqile Bollani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme