Kredi 40 milionë euro për rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës

Ekonomi | 5 vite më parë

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi të mërkurën  projektligjin “Për rafitikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare KESH dhe bankës gjermane KFW, për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”.

Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ilir Bejtja, tha se “kredia që ne marrim, në vlerën 40 milionë euro, shërben për vijimin e investimeve në rehabilitimin e kaskadës në lumin Drin, që ka filluar me HEC-in e Vaut të Dejës dhe më pas me riparimin e turbinave në Koman dhe tani jemi duke u marrë me agregatët në HEC-in e Fierzës”.

Zoti Betja theksoi se, rehabilitimi është një proces i domosdoshëm për kaskadën, që sipas tij “kontribuon në, rritjen e efiçencës në prodhim të HEC-it të Fierzës me të paktën 4%; redukton kohën dhe kostot për mirëmbajtjen e agregateve; rrit sigurinë në furnizimin e vendit me energji elektrike si dhe jetëgjatësisë e funksionimit të veprës edhe me të paktën 30 vite të tjera”.

“Projekti për rehabilitimin elektro-mekanik të HEC-it Fierza është i një rëndësie të veçantë për sektorin elektroenergjetik shqiptar dhe jo vetëm. Kjo, bazuar në rëndësinë që ka HEC-i Fierza, i cili është njësia gjeneruese më e rëndësishme në vendin tonë”, u shpreh Bejtja, teksa informoi komisionin se “investimi parashikon remontin e dy turbinave në HEC-n e Fierzës, me ndikim në rritjen e eficiencës së HEC-t”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme