Kreu i FRPD Durrës: Anëtarë të bandave kriminale kanë kërcënuar me jetë të rinjtë tanë! Policia e Durrësit: E pavërtetë

Kryetari i degës së Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) Durrës, Shyqyri Myrtollari ka deklaruar se këtë të shtunë (6 maj) 10 persona kanë kërcënuar me jetë të rinjtë e FRPD-së që po shpërndanin fletëpalosje në lagjen “Stalla” në Sukth. Në një deklaratë për mediat, Myrtollari tha se këta persona u kanë kërkuar të rinjve të FRPD-së që të mos shpërndanin fletushkat e programit që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë, Igli Cara ka për Durrësin.
“Sot rreth orës 13.30 në lagjen Stalla të zonës së Sukthit, ndërsa grupi i të rinjve të FRPD-së, po shpërndanin fletpalosje në mbështetje të kandidatit Igli Cara, një grup i përbërë prej afro 10 personash, janë afruar duke kërcënuar të rinjtë demokratë, që ‘Nëse nuk do të largoheshin nga zona e tyre, do të hanin plumbin’. Ndërsa dita e votimeve po afron bandat kriminale janë shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit te Durrësit duke ju bërë presion jo vetëm banorëve por edhe atyre që janë kundërshtarë të kryetares aktuale të Bashkisë.
Ne si forcë politike denoncojmë këtë rast kriminal dhe kërkojmë nga Policia e Qytetit të Durrësit që të verifikojë urgjentisht personat të cilët kanë kryer këtë vepër penale dhe të merret masat e duhura ndaj tyre. E drejta e informimit dhe e drejta e votës së lirë është e drejta e të gjithë qytetarëve. Presioni dhe kërcënimi i çdo votuesi është metoda e marrjes së votave nga ana e grupeve të organizuara të kryetares së Bashkisë Emiriana Sako. Kjo duket qartë nga prezenca e patonazhistëve dhe grupeve të organizuara kriminale të shpërndara kudo nëpër zonat e ndryshme të qytetit të Durrësit. Kjo nuk e ndalon aspak punën tonë dhe as që na frikson në hapat për ndryshimin e kësaj anarkie të krijuar nga njerëz të mbytur nga korupsioni dhe krimi. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve Durrsakë që të mos intimidohen dhe as te tolerojnë kërcënimet e bandave kriminale dhe më 14 maj të vendosin vetë për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë Durrës”, u shpreh ai.
Ndërkohë, në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar edhe policia e Durrësit, teksa thekson se deklarata e bërë sot nga kryetari i FRPD dega Durrës “është tërësisht e pavërtetë”. Sipas Policisë, për ngjarjen janë shoqëruar 2 persona të cilët, ndryshe nga sa ka deklaruar Myrtollari, kanë thënë se nuk kanë kërcënuar njeri, por kanë debatuar me personat që të mos futnin postera dhe fletushka poshtë banesave të tyre apo t’i hidhnin ato në rrugë.
“Në lidhje me deklaratën e bërë në media, nga kryetari i degës së FRPD në Durrës, sqarojmë opinonin publik se: Më datë 06.05.2023, rreth orës 14:00, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka njoftuar me telefon se rreth orës 13:00, në një lagje në Sukth, Durrës, një grup prej 6-7 personash kishin qenë në këtë lagje, me një automjet me logo të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe sipas tyre, dy shtetas që drejtonin dy automjete, i kishin kërcënuar me fjalë që të largoheshin nga lagjja. Në këto kushte është ftuar për të bërë kallëzim, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por deri në këto momente nuk është paraqitur as ai dhe asnjë shtetas tjetër, për të bërë kallëzim në lidhje me pretendimin e ngritur gjatë telefonatës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së telefonatës, kanë vënë në dijeni prokurorin e gatshëm në Prokurorinë e Durrësit dhe më pas shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë shkuar në adresën e dhënë.
Pas informacioneve të marra, është bërë identifikimi dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Durrës, i dy personave, konkretisht shtetasve F. T., 25 vjeç dhe A. M., 31 vjeç, banues në Sukth, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë kërcënuar njeri, por kanë debatuar me personat që të mos futnin postera dhe fletushka poshtë banesave të tyre apo t’i hidhnin ato në rrugë. Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm, do t’i dërgohen Prokurorisë, për vlerësim. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës sqaron opinonin publik se deklarata e bërë sot nga kryetari i FRPD dega Durrës, i cili foli për banda kriminale që iu bëjnë presion qytetarëve të Durrësit, për të tjetërsuar vullentin e tyre politik, është tërësisht e pavërtetë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe të gjitha subjektet politike, se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit e të sigurisë, me qëllim mbarëvajtjen sa më të sigurt të fushatës zgjedhore dhe se deri tani, në qarkun e Durrësit, nuk ka asnjë rast të cenimit të këtij procesi. Në funksion të mbarëvajtjes sa më të qetë e të sigurt të të gjithë procesit, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke mos përhapur panik me deklarata të pabazuara në fakte dhe fton cilindo që ndeshet me çfarëdolloj paligjshmërie, që të denoncojë në numrin pa pagesë 112, duke iu siguruar reagim të menjëhershëm dhe profesional”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



