Kreu i Senatit: Presidenti Zeman nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij

Presidenti çek Milos Zeman nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij zyrtare për shkak të problemeve shëndetësore, deklaroi presidenti i Senatit çek duke cituar një raport nga spitali që e trajtonte atë.
Milos Vystrcil theksoi se ”prognoza afatgjatë është jashtëzakonisht e pasigurt për Zeman, i cili u pranua në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit ushtarak qendror në Pragë më 10 tetor”.
Vystrcil tha se sipas raportit që mori, ishte “e pamundur” që Zeman të ishte në gjendje të kthehej në punë në javët e ardhshme.
Zeman mund të përballet me procedura të ”impeachment” ose të lirohet përkohësisht nga detyrat e tij, një masë që kërkon vetëm një shumicë të thjeshtë në të dy dhomat e parlamentit. Senati do të diskutojë hapat e tij të ardhshëm.
Ndërsa presidenca është një rol kryesisht ceremonial në Republikën Çeke, shtrimi në spital i Zeman vjen në një kohë politikisht të ndjeshme.
Ai u shtrua në spital një ditë pas zgjedhjeve në të cilat opozita fitoi një shumicë të qartë prej 108 nga 200 vende në Dhomën e Deputetëve.
Presidenti luan një rol kyç në dhënien e mandatit një politikani për të formuar qeverinë./ATSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




