Krijimi i bazës detare të NATO-s në Porto Romano, Rama takohet me Stoltenberg në Bruksel

Projekti i bazës detare të NATO-s në Porto Romano në Durrës do të diskutohet në Bruksel mes kryeministrit Edi Rama dhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.
Rama është takuar me Stoltenberg, ku kanë shtrënguar duart para kamerave dhe janë larguar për të zhvilluar takimin ku do të diskutohet për projektin e NATO-s në një kohë kur lufta e Rusisë mbi Ukrainën ka prishur ekuilibrat e paqes.
“NATO ka hyrë në një fazë të re të bashkëfinancimit edhe të projekteve të posaçme. E kemi ftuar NATO-n të marrë pjesë për një financim për pjesën ushtarake. Kjo do të jetë me vlerë të jashtëzakonshme për Shqipërinë”, tha kryeministri Rama para se të nisej për në Bruksel.
Takimi do të ketë në fokus krijimin e bazës detare të NATO-s në Porto Romano në Durrës, por do të diskutohet edhe për investimet që NATO po bën për të krijuar bazën ajrore në Kuçovë.

Porti i ri në Durrës do të jetë i vendosur në Porto Romano, 40 minuta nga kryeqyteti dhe do të përfshijë një seksion tregtar dhe një bazë detare ushtarake. NATO po transformon gjithashtu një ish bazë ajrore ushtarake në Kuçovë, prej 350 hektarësh aktualisht është shtëpia e shumë MiG, Antonov dhe Yak-18 të epokës sovjetike dhe kineze jashtë përdorimit. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë euro dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




