Krimi i organizuar, Çuçi: Po e luftojmë bashkë me partnerët ndërkombëtar! Alibeaj: Keni dështuar, vendi i kanabizuar

Politikë | 4 vite më parë

Lufta ndaj krimit të organizuar është një kapitull shumë i rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së dhe integrimit të Shqipërisë. Këshilli Kombëtar i Integrimit është fokusuar në mbledhjen e saj pikërisht në përpjekjet që ka bërë Shqipëria në drejtim të luftimit të krimit dhe kultivimit të kanabisit.

Ministri i brendshëm, Bledi Çuçi tha se arritjet janë të dukshme dhe kjo ka ndodhur edhe falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar në luftimin e këtij fenomeni.

“Nuk e shoh vetëm si raportim normal, por një mundësi për të avancuar më tepër në këtë proces. Shqipëria nuk ka dyshim që do të jetë pjesë e BE. Është në interesin e vendit tonë që kur bëhet fjalë për BE të lëmë mënjanë politikën. Komisioni i Evropian ka thënë se ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret, pavarësisht ngërçit që kemi nga vetoja bullgare. Kapitulli 24 dhe 23 mund të konsiderohen si shtylla e procesit të zgjerimit. Lufta kundër krimit të organizuar, pika qendrore e punës tonë. Krimi i organizuar nuk njeh kufi, nuk ka pasaportë , mund të luftohet vetëm me bashkëpunim të ngushte me partnerët tanë. Ne jemi përqendruar tek mirëbesimi, duke pasur bashkëpunime me vende aleate. Jemi fokusuar në shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin në operacione të përbashkëta. Kjo dëshmon për nivelin e lartë të besimit nga partnerët evropian”, tha Çuçi.

Të njëjtin qëndrim si ministri Çuçi duke se nuk ndan opozita, ku kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha se qeveria ka dështuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe se sipas tij duke cituar raportin e DASH, Shqipëria mbetet prodhues dhe furnizues i kanabisit.

“Ajo që duhet të monitorohet janë dështimin në luftën kundër drogës. Rama paralajmëroi se do të ndërmerrte hapa ligjore për të legalizuar kanabisin për përdorim mjekësor, sipas një të ashtuquajture “konsultim me publikun” nëpërmjet një pyetësori i cili jo vetëm që nuk ishte transparent por se dhe rezultatet e paraqitura që gjoja ishin në favor të kësaj nisme nuk përbëjnë as 20% të popullsisë. Shqipëria nën syrin e ndërkombëtarëve mbetet prodhues e furnizues i kanabisit. Këtë panoramë e sjellë dhe raporti i fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kështu, sipas DASH, kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët shqiptarë”, tha Aliebaj.

Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të hapur negociata për integrimin në BE, por mbetet ‘peng’ e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme