Kristian Jubani, nënkampion i Evropës në boks

Kristian Jubani i ka dhënë Shqipërisë një medalje të argjendtë në boks, pasi 14-vjeçari ka mbërritur deri në finalen e Kampionatin Evropian të këtij sporti për grupmoshën e shkollorëve, aty ku të premten është përballur me kampionin e Ukrainës, Mikhailo Sidorenko. Në fakt, sipas informacion të përcjellë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Renato Kurti, i cili shoqërohet nga trajneri tjetër, Antonet Rapushi, Shqipëria ka shkuar në këtë Kampionat Evropian të Nën-14-vjeçarëve me 3 sportistë dhe më 19 gusht, në kategorinë e peshës trupore deri 50 kg, Antonio Hoxha u mund përballë një boksieri nga Moldavia, kurse dy ditë më pas, më 21 gusht, në ring është ngjitur Marsid Hoxha, i cili, në kategorinë e peshës deri në 75 kg, u mund përballë një boksieri spanjoll.
Kristian Jubani e zhvilloi ndeshjen e parë me 18 gusht, teksa mundi një boksier nga Mali i Zi, duke fituar me vendim unanim, duke vijuar 3 ditë më vonë, në çerekfinale, të mundte rivalin sllovak me rezultatin 5-0. Ndërkaq, në gjysmëfinale, boksieri kuqezi pati një duel të fortë përballë një boksieri gjerman, por edhe atë e ka mundur me vendim unamim, me shifrat 5-0, duke siguruar kështu vendin në finalen e madhe të së premtes. Atu ky, edhe pse nuk ia ka dalë, teksa është mundur 5-0 nga boksieri ukrainas Mikhailo Sidorenko, Kristian Jubani sidoqoftë është shpallur nënkampion i Evropës për Nën-14-vjeçarët. Trajneri Renato Kurti ka patur fjalë të mira për boksierin e ri, i cili në fakt ka lindur në Irlandë nga prindër shkodranë të zhvendosur atje. “Kemi qenë me fat që ai ka pranuar të garojë me Shqipërinë dhe t’i sjellë vendit të tij të origjinës një medalje të argjendtë që premton për të ardhmen”, – ka deklaruar shkurtimisht Kurti për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nëpërmjet linjës telefonike.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




