Kritikat e Ramës ‘zbusin’ tonet e Britanisë! Zyrtarët çojnë sinjale paqeje: Mirënjohjen për bashkëpunimin me Shqipërinë

Kritikat e kryeministrit Edi Rama ndaj deklaratave të Britanisë së Madhe lidhur me emigrantët, kanë bërë që Londra të tërhiqet dhe të dërgojë sinjale ‘paqeje’ me Tiranën Zyrtare.
Pas ‘sherrit’ me Shqipërinë për emigrantët, Downing Street ka lavdëruar qeverinë shqiptare për bashkëpunimin për të frenuar fenomenin e emigrimit.
“Ne kemi një marrëdhënie të fortë me partnerët tanë shqiptarë. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta. Ne duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të kontrabandistëve të njerëzve dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën e tyre me ne për këtë”, tha zëdhënësja zyrtare e Kryeministrisë britanike.
Gjithashtu ‘dega e ullirit’ është shtrirë edhe nga ministri i Klimës, Graham Stuart i cili u përpoq të riparonte marrëdhëniet teksa shprehu “mirënjohjen” e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë.
“Unë jam mirënjohës për punën që po bëjmë me shqiptarët dhe ata kanë dërguar oficerë të lartë policie për të përshpejtuar përpunimin dhe ne kemi një sistem të përshpejtuar për t’i kthyer shqiptarët nëse rezulton se ata janë azilkërkuesit jo legjitimë. Pra, ne po përpiqemi të punojmë në bashkëpunim. Por është e qartë se ka presion që mund të çojë në një gjuhë, e cila ndonjëherë është për të ardhur keq dhe ia vlen të shënojmë mirënjohjen tonë ndaj qeverisë shqiptare për bashkëpunimin e tyre në punën për ta zgjidhur këtë”, tha ai për Sky News.
Debatet dhe gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman se Britania ndodhet përballë një pushtimi azilkërkuesish shqiptarë dhe se ato duhet të dëboheshin, ka nxitur përplasjen mes dy shteteve. Kryeministri Rama tha për BBC se Britani nuk mund të fajësojë Shqipërinë për problemet e saj kufitare dhe se gjuha e përdorur nga sekretarja Braverman ushqen ksenofobi dhe se problemi nuk është i shqiptarëve që emigrojnë por i politikës së brendshme britanike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




