Kriza brenda PD, Ferdinand Xhaferaj: Lideri i ri të vijë nga jashtë ose nga media

Deputeti Ferdinand Xhaferaj beson se lidershipi aktual i dy grupimeve nuk e bashkon PD. Në emisionin “Pa Censurë” ai bëri një propozim për tërheqje të të dy palëve dhe për ta gjetur liderin jashtë grupimeve aktuale.
“Në 6 mars dolëm më keq se grupimi i zotit Berisha, që tregon se nuk jemi zgjidhja. Ne duhet të bëhemi nismëtarët për krijimin e një harku të gjerë opozitar, që duhet të shkojë përtej grupimit tonë, përtej grupimit të zotit Berisha. Pra ne të gjithë na ka brenda, por duhet diçka plus. Figura të spikatura nga diaspora, nga media apo shoqëria civile. Ka produkte mediatike që për vite me radhë kanë impaktin e tyre në shoqëri dhe janë shprehur që kanë lidhje me të djathtën. Pra lideri duhet të kërkohet këtu, sepse deri tani, ky lidership brenda PD-së nuk është zgjidhje. Më i miri ndër ne është zoti Berisha dhe prapë mendohet që nuk na çon në fitore. Atëherë, edhe zoti Berisha ka një rol për të luajtur brenda këtij grupimi, edhe Alibeaj, edhe të tjerët, por ky grupim duhet të shkojë përtej vetes. Pasi, edhe Berisha, edhe Basha u mundën nga Rama. Nuk ka zgjidhje tjetër. Po nuk dolëm nga vetja, po nuk lamë lojën personale, që nga Berisha i pari, nuk do të prodhojmë dot zgjidhjen që duan qytetarët”, u shpreh Ferdinand Xhaferaj për emisionin “Pa Censurë”.
Deputeti i Durrësit foli edhe për kandidatë të përbashkët në zgjedhje, duke artikuluar qartë se mund të ketë përfaqësues më të mirë përtej disa kandidatëve të primareve. Por për këtë, sipas tij, duhen negociata.
“Deri në mars kemi të gjithë instrumentët e domosdoshëm që të bëjmë investimin maksimal për të qenë të gjithë bashkë. Deri në mars ka plotësisht gjëra për të negociuar. Nuk e kam për rastin konkret në Durrës. Nëse ka kandidatë që opozita e bashhkuar merr mesazhin se mund të performojnë më mirë sesa kandidatët e primareve, në mënyrë te padisktuueshme, duhet gjetur zgjidhje. Edhe primaret u bënë shumë problematike. Nëse pjesa kryesore e opozitës nuk do që të dëgjojë dhe të qëndrojë si një mur, atëherë është problemi i tyre.”, u shpreh Ferdinand Xhaferaj për emisionin “Pa Censurë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



