Kriza e gazit/ Qyteti gjerman i Hanoverit fik ngrohjen, s’ka më ujë të ngrohtë në dushe

Botë | 4 vite më parë

Qyteti gjerman i Hanoverit ka fikur ngrohjen, duke i kaluar dushet me vetëm ujë të ftohtë në të gjitha ndërtesat publike për shkak të krizës së gazit rus. Është qyteti i parë i madh që mbyll ujin e nxehtë pasi Rusia uli në mënyrë dramatike furnizimin me gaz të Gjermanisë.

Gjermanëve u është thënë të presin masa gjithëpërfshirëse për reduktimin e gazit dhe tarifa shtesë në faturat e tyre të energjisë. BE-ja ka rënë dakord të ulë kërkesën për gazin rus këtë dimër me 15%.

Në një përpjekje për të kursyer energji, qyteti verior i Gjermanisë, Hanoveri, ka vendosur që uji i nxehtë nuk do të jetë më i disponueshëm për larjen e duarve në ndërtesat publike ose në dushe, pishina, salla sportive dhe palestra.

Shatërvanet publike po fiken gjithashtu për të kursyer energji dhe nuk do të ketë drita gjatë natës në ndërtesat kryesore si bashkia dhe muzetë. Kryebashkiaku Belit Onay tha se qëllimi ishte ulja e konsumit të energjisë së qytetit me 15% si reagim ndaj një “mungese të menjëhershme të gazit” që përbën një sfidë të rëndësishme për qytetet e mëdha.

Rregullat zbatohen edhe për ngrohjen. Ndërtesat publike nuk do të kenë ngrohje nga prilli deri në fund të shtatorit të çdo viti, me temperaturat e dhomës të kufizuara në maksimum 20C për pjesën tjetër të vitit, me disa përjashtime.

Qyteti po ndalon gjithashtu kondicionerët portativë, ngrohje dhe radiatorë.

Politika është në përputhje me njoftimet nga Berlini javën e kaluar, ndërsa Gjermania garon për të krijuar rezervat e saj përpara dimrit. Qytete të tjera si Augsburg në Bavari kanë prezantuar tashmë masat e tyre si fikja e shatërvaneve publike.

Objektivi i reduktimit prej 15% në Hanover përputhet me objektivin mbarë BE-së për të reduktuar varësinë nga gazi rus.

“Nuk mund të themi ende se sa do të kushtojë gazi në nëntor, por lajmi i hidhur është se janë padyshim disa qindra euro për familje“, tha ministri i Ekonomisë Robert Habeck. Disa raporte thanë se mund t’u kushtojë familjeve 500 € shtesë në vit.

Gjermania është mbështetur prej kohësh në gazin rus për nevojat e saj energjetike, por kohët e fundit ka akuzuar Rusinë për kufizimin e rrjedhës në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së për luftën në Ukrainë, diçka që Rusia e mohon.

Furnizimet me gaz rus tani përbëjnë rreth një të katërtën e nevojave të vendit, krahasuar me më shumë se gjysmën para luftës./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme