Kriza energjetike, Presidentja e KE do të prezantojë më 14 shtator planin për vendosjen e një çmimi tavan

Më 14 shtator, Presidentja e KE, Ursula von der Leyen pritet të prezantojë planin për vendosjen e një tavani evropian për çmimet e energjisë. Çmimet e larta të gazit natyror dhe energjisë elektrike e bëjnë të domosdoshme nevojën për marrjen e masave nga ana e BE dhe ndryshimet në tregun e energjisë në Evropë.
“Zërat” që bëjnë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme për energjinë janë shtuar në mënyrë dramatike kohët e fundit, duke detyruar presidencën çeke të BE për të shpallur një takim urgjent të ministrave të energjisë më 9 shtator.
Nisja e një “përgjigjeje” evropiane u gjykua gjithashtu e nevojshme për shkak të veprimeve të Moskës, me reduktimet e vazhdueshme në dërgesat e gazit natyror.
“Çmimet e energjisë po thyejnë rekorde pas rekordesh. Pasojat për familjet dhe bizneset nuk janë të qëndrueshme. Ne duhet të përballemi me këtë situatë së bashku dhe menjëherë”, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.
Njoftimet e Brukselit për masat e reja emergjente të kombinuara me faktin se Evropa po i afrohet objektivit të ruajtjes së gazit dimëror në 80%, një nivel që pritet të arrihet më 1 nëntor, qetësuan pak tregjet dhe çuan në një rënie të vogël të çmimeve. Megjithatë, ato mbeten në nivele të larta./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




