Kriza energjitike dhe ajo e karburanteve, kryeministri Rama konferencë shtypi

Kryeministri Edi Rama doli të martën në mëngjes në një konferencë shtypi për të spjeguar impaktin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës në krizën energjitike. Në vlerësimin e tij çmimi i energjisë dhe karburanteve po rritet me orë dhe jo me ditë. Zoti Rama ritheksoi se çmimi i naftës nuk varet nga qeveria, por nga kërkesa dhe oferta në treg. Kryeministri përsëriti se vendi duhet të përgatitet për çdo skenar tani që lufta ka filluar.
Një komitet special do të monitorojë situatën dhe do të japi skenaret. “Gjithçka synon të mbrojë jetën shëndetin edhe nga agresioni ushtarak” tha ndër të tjera kryeministri. “Është luftë reale” përsëriti disa herë kryeministri Rama. Duhet të jemi të vetëdijshëm se bota ka ndryshuar dhe gjithçka është kthyer përmbys, tha ai. Detyrimi ynë është të garantojmë vazhdimësinë, por pa dhimje luftë nuk ka, shtoi zoti Rama. Ai hodhi poshtë propozimet për heqjen dhe reduktimin e taksave, pasi sipas tij gjithçka është në pikë të fundit.
“Dëgjojmë propozime absurde për heqjen e taksës së naftës. Kjo qeveri po mban të pa lëvizur në kushtet e një kërcimi shumë herë më të lartë të çmimit të energjisë. Më lart sesa kërcimi i çmimit të naftës. Për familjarët dhe biznesin e vogël dhe kjo kushton çdo ditë shumë. Dhe këto kosto, përballohen fal kontributeve. Se është kollaj të themi të heqim këto taksa. Kemi hequr nga të gjitha llojet e taksave që mundëm dhe nuk ka më çfarë të heqim. Kemi hequr taksat për biznesin e vogël apo për pagat deri në 40 mijë lekë. Kemi përgjysmuar taksat për 50 mijë lekë pagë. S’kemi çfarë të heqim më!” tha kryeministri Edi Rama.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku u ndal tek skenaret e qeverisë për të përballuar situatën. Kriza ka kohë që ka filluar tha zonja Balluku, ndërsa solli edhe shifra sipas të cilave situata në Shqipëri është më e mirë se në disa vende europiane.
Zonja Balluku dha lajmin e keq se energjia elektrike në bursë pritet të kapi kuota shumë të larta që do të ndikojnë në çmimet për konsumatorët shqiptarë. Ajo tha se në mars pritet që energjia do të blihet me 500 euro, ndërsa parashikohet që të shkojë në muajt në vijim deri në 1 mijë euro për megavat orë. Ministrja tha se për shkak të pamundësisë së prodhimit dhe thatësirë vendit do ti duhet të importojë energji të kushtueshme. “Shqetësimi më i madh për nuk është më çmimi, por mungesae produktit energjitik në treg” tha zonja Balluku.
Ministrja përmendi disa masa për ta bërë konsumin energjitik sa më efiçent. “Kjo është një luftë që duhet ta bëjmë bashkë” tha Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




