Kriza më e madhe e emigracionit në historinë e Ceutës, mbi 40 mijë persona hyjnë nga Maroku në 24 orë, shkon në 27 numri i viktimave. Sanchez viziton enklavën

Mbi 40 mijë emigrantë kanë hyrë në mënyrë të parregullt në Ceuta gjatë ditëve të fundit, sipas vlerësimeve paraprake të forcave të sigurisë spanjolle. Pjesa më e madhe e hyrjeve janë regjistruar të enjten, duke shkaktuar një nga krizat më të mëdha migratore të përjetuara ndonjëherë nga enklava spanjolle.
Qindra persona kanë kaluar natën në rrugë dhe në ambiente të hapura, ndërsa vazhdojnë tentativat për të kaluar kufirin nga Maroku. Autoritetet spanjolle po përballen me një situatë të jashtëzakonshme, ndërsa kapacitetet e pritjes në qytet janë tejkaluar.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, është zhvendosur në Ceuta për të ndjekur nga afër situatën. Ndërkohë, bilanci i viktimave nga përpjekjet për të hyrë me not në enklavë është rritur në 27 persona të vdekur, shumica prej të cilëve janë mbytur gjatë përpjekjeve për të kaluar pengesën kufitare detare në zonën e El Tarajal.
Garda Civile spanjolle ka shtuar operacionet e kërkimit në ujërat pranë kufirit, duke dërguar në Ceuta dy grupe zhytësish të njësisë speciale GEAS, me tetë efektivë nga Andaluzia, për të kërkuar viktima të tjera të mundshme.
Ndërkohë, situata ka sjellë reagime edhe nga vende të tjera evropiane. Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, i ka bërë thirrje Spanjës që të “rikthejë kontrollin e situatës” në Ceuta dhe ka paralajmëruar se qeveria suedeze është e gatshme të marrë masa nëse kriza përbën rrezik për sigurinë apo politikën e saj të migracionit.
Kristersson deklaroi se Spanja duhet të veprojë shpejt për të përmbushur angazhimet e saj në kuadër të bashkëpunimit të zonës Schengen.
Ndërkohë, qeveria e Melillas ka bërë të ditur se gjatë natës së fundit kanë hyrë nga Maroku rreth 300 deri në 400 persona.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




