Kroacia njeh Holodomorin si gjenocid, 9 milionë njerëz humbën jetën nga uria dhe ekzekutimet

Botë | 3 vite më parë

Parlamenti i Kroacisë votoi të mërkurën për njohjen e Holodomorit si gjenocid. Ky term nënkupton vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë në vitet 1930, nën udhëheqësin sovjetik, Joseph Stalin.

Regjimi i tij krijoi artificialisht uri, që preku popullsinë e Ukrainës sovjetike, të Kaukazit të Veriut dhe të zonës përreth rrjedhës së poshtme të lumit Vollga, midis viteve 1932 dhe 1933.

Vlerësohet se deri në 9 milionë njerëz humbën jetën si rezultat i ekzekutimeve, dëbimeve dhe urisë gjatë Holodomorit.

Më e goditura ishte Ukraina, si zona më pjellore bujqësore e Bashkimit Sovjetik. Me deklaratën e miratuar, Parlamenti kroat tha se e njeh Holodomorin si gjenocid kundër popullit ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke falënderuar Kroacinë tha se bota nuk do t’i pranojë kurrë krimet e Kremlinit, as të shkuarat, as të tashmet. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, shprehu po ashtu mirënjohje për Kroacinë, duke thënë se “njohja globale e gjenocidit të Holodomorit” vazhdon të rritet me shpejtësi. Ai shtoi se 27 vende e njohin urinë si gjenocid. Viktimat e Holodomorit përkujtohen në Ukrainë dhe në mbarë botën çdo vit, në të shtunën e katërt të nëntorit.

Gazetar: Artur Mata 

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme