Kryemadhi me “detyrim paraqitje”: Akuza farsë, por do përballem me drejtësinë

Politikë | 2 vite më parë

Bashkëshortja e ish-presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhi, konfirmoi të hënën (21 tetor) se ka marrë nga Gjykata urdhrin “për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, pak orë pasi Meta u arrestua me kërkesë të SPAK-ut.

Masa e sigurisë nënkupton që znj. Kryemadhi shihet si person me interes nga prokurorët specialë për të zbardhur çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin apo pasurinë e saj familjare. Ajo dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

“Vetëm para pak minutash më është vënë në dispozicion fermani i gjykatës politike të Edi Ramës. Dhjetëra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë, atentatorë në tentativë për të vrarë aksionin e opozitës shqiptare në tërësi.

Krimet mostruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të SKY dhe ECC, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës,” njoftoi znj. Kryemadhi.

Ish-kryetarja e PL-së vlerësoi se ndaj drejtuesve të opozitës shqiptare po kryhet një gjyq publik.

“Krimet e disa prokurorëve të prokurorisë speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke ju nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të Republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrenë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare.

Ju siguroj se, pavarësisht të gjithë gjyqit politik dhe publik, unë kurrë nuk do të ndalem.Ju konfirmoj se po, gjykata politike e Edi Ramës ka marrë për mua vendimin për detyrim paraqitje. Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjor për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendit. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit,” reagoi znj. Kryemadhi në Facebook.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme