Kryemadhi: SPAK të mos joshet nga ofertat e pronarëve të skemë korruptive të inceneratorëve

Politikë | 4 vite më parë

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka kërkuar nga SPAK që të veprojë më shpejt lidhur me skemën korruptive të inceneratorëve pasi ajo i ka denoncuar me fakte të gjitha kompanitë fiktive një vit më parë në denoncimin që ka bërë. Teksa u bën thirrje prokurorëve të SPAK që të mos joshen nga ofertat, Kryemadhi thotë çdo ditë 80.000 dollarë nga taksat e qytetarëve paguhen për inceneratorin korruptiv të Tiranës.

“SPAK u zgjua nga gjumi letargjik, vetëm sot, tepër vonë, kur rolin dhe emrat e kompanive fiktive në skemën e aferës së inceneratorëve, ia kisha analizuar me fakte në kallëzimin e dorëzuar që para 1 viti. “Procedimet penale të mësipërme ndodhen në fazën e hetimeve paraprake dhe veprimet hetimore lidhur me këto procedime penale ende nuk kanë përfunduar. Veprimtaria hetimore për këto tre procedime penale është duke u zhvilluar në përputhje me afatet procedurale të hetimit që janë parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.” – Kjo është përgjigja e fundit e prokurorisë speciale, në datë 8 qershor 2022, ndaj kërkesës time të përsëritur për informacion.

Çdo ditë që ikën, 80.000 dollarë nga taksat e qytetarëve paguhen për inceneratorin korruptiv të Tiranës. Shqipëria nuk mund të mjaftohet me disa ish zyrtarë që janë sot prapa hekurave, jo si të dënuar, por në zbatim të masave të sigurisë. Shqiptarët presin drejtësi të vërtetë për çdo zyrtar të korruptuar, pjesë të skemës së inceneratorëve. Ndaj, nuk do rresht së drejtuari thirrjen dashamirëse: Mos merrni mbi shpatulla hallin e Erion Veliaj, Engjëll Agaçit dhe Armando Subashit. As mos u intimidoni, as mos u joshni prej ofertave që mund t’iu kenë ardhur prej tyre. Sepse, për hallin e avokatit të inceneratorëve Erion Veliaj, ekzekutorit Engjëll Agaçi dhe pronarit të skemës korruptive Edi Rama, në vitin 2022 nuk mund të bëni kurban veten, drejtësinë, Shqipërinë”, shkruan Kryemadhi në facebook.

Gjatë ditës së sotme edhe presidenti Ilir Meta ka denoncuar këtë çështje duke thënë se krimi ka kapërcyer çdo imagjinatë, ku miliona euro të taksapaguesve grabiten nga mafia e inceneratorëve me firma të falsifikuara të qytetarëve, që janë ndarë nga kjo botë prej 5 vitesh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme