Kryeministri Rama: Jam i bindur në fitoren e një mandati të tretë

Nga sheshi i inceneratorit të Elbasanit, kryeministri Edi Rama, është shprehur i bindur për një fitore të një mandati të tretë. Në ftesën që pati për të gjithë, për t’iu bashkuar PS-së, zoti Rama tha se “sa herë kjo parti ka drejtuar vendin, ai ka ecur përpara”.
“Ne na duhen vajza dhe djem, si vajza që foli para meje dhe Evisit, shqiptarë që vijnë nga jeta e përditshme, vijnë nga puna, nga përpjekjet dhe rezultatet në rrugën e tyre, qofshin në rrugën e qytetit, qofshin në rrugën e fshatit. Qofshin profesionistë në qytet apo fshat. Ne na duhen njerëz që vijnë nga lufta e përditshme, që duan të bëjnë jetën e tyre më të mirë dhe të familjes me punë, duke mësuar edhe nga gabimet e tyre e për të mos u dorëzuar përballë vështirësive. Jam besim-plotë se jemi në rrugën e duhur.
Në këtë rrugë na duhen energji të mëdha. Nuk na sfidojnë dot. Janë shumë mbrapa. Është opozitë mizerabël në çdo aspekt, në lidhjet me njerëzit, në aspektin e halleve të përditshme. Sot është një opozitë e pandershme. Procesi ynë është i drejtpërdrejtë, është ftesë e hapur”, tha Rama.
Partia Socialiste ka prezantuar platformën, përmes të cilës, të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për të qenë pjesë e listës së hapur të kësaj force politike në zgjedhjet e 25 prillit. Në vetëm 4 ditë, që prej lançimit të kësaj platforme, janë plot 16 mijë qytetarët që janë regjistruar dhe 46 prej tyre kanë përfunduar aplikimin e plotë. Aplikimi do të jetë i hapur për të gjithë deri në datën 25 nëntor. /rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



