Kryeministri Rama mbledh ministrat e deputetët e PS-së

Kryeministri Edi Rama, thirri në një darkë në Pallatin e Brigadave ministrat e deputetët e qeverisë e parlamentit aktual, për t’u shprehur, siç thuhet në njoftimin e Partisë Socialiste, “fjalë falenderuese për të gjithë skuadrën e grupit parlamentar socialist që dha kontribut të rëndësishëm në sfida të pazakonshme të mandatit të dytë dhe për t’i uruar suksese për të rinjtë në rrugëtimin e Partisë Socialiste në Mandatin e Tretë”.
Fjalën në takimin me deputetët e rinj dhe të vjetër, kryeministri Rama e ka nisur duke thënë se askush s’do ta zërë vendin e Gramoz Ruçit, duke theksuar se ai do të jetë në krahun e tij të djathtë.
“Të dashur shokë shoqe kolegë dhe kolegë. Tani që Gramozi s’do ta ketë më barrën që të mbajë fjalime para jush, mësohuni që të dëgjoni më shumë nga unë adresimin shokë dhe shoqe. Uroj të keni kaluar pushime të mbara dhe të jeni kthyer me energji të reja për të nisur punën e madhe që kemi përpara në kthimin e borxhit më të madh që populli shqiptar i ka dhënë një force politike, duke na besuar për të tretën herë privilegjin për të udhëhequr Shqipërinë. Ai do të vijojë të jetë në krahun tim të djathtë. Askujt të mos i vijë keq, askush se zë dot atë vend”, tha Rama.
Gjatë këtij takimi kryeministri Rama tha se ato do të vazhdojnë që të jenë të gjithë një skuadër për të përmbushur misionin e PS-së në krye të punëve të këtij vendi. Zoti Rama tha se të gjitha ata që gjatë mandatit të tretë nuk do të jenë në Kuvend do të kenë mundësi që të përshihen në punët e ekzekutivit dhe të partisë.
‘Shumë prej jush nuk do të jenë në qeveri. Ne do të jemi një skuadër dhe ndryshimet do të jenë në funksion të skuadrës që di t’ia dalë të jetësoj misionin e PS-së, që të jetë në kry të punëve të vendit. Nuk do të jetë e tepërt që të falenderoj deputetët që e përfunduan punën e tyre të mandatit të dytë duke dhënë kontributin në Kuvend në periudhën e vështirësive më të jashtëzakonshme për një udhëheqje politike, tërmeti dhe pandemia, pa llogaritur edhe kundërshtinë destruktive të opozitës deri në djegien e mandateve. Puna nuk u ndërpre. Uniteti i grupit parlamentar nuk u vu asnjëherë në pikë pyetje. Të gjitha ata që gjatë mandatit të tretë nuk do të jenë në Kuvend do të kenë mundësi që të përshihen në punët e ekzekutivit dhe të partisë. Duhet ti japim energji të re PS-së. Nis puna në tre hapësira të ushtrimit tona në Kuvend, qeveri dhe parti. Nis puna për 2 fitore të tjera, zgjedhjet vendore të 2023 dhe ato parlamentare të 2025 . Populli do të ndajë të “njomët nga të thatët”. Mandati i tretë do të jetë më i vështiri, pasi do të rikonfirmohet PS-së 4 vite nga sot.’- tha Rama.
Kryeministri Rama tha se Partia Socialiste do të distancohet ndaj kujtdo që mban në ballë logon e PS-së dhe ekspozohet si përfitues i paligjshëm i të mirave publike. PS, sipas Ramës, “nuk do të jetë kurrë streha e dikujt që me veprimet e veta cënon PS-në”.
‘Kjo është skuadra drejtuese vendit në katër vitet e ardhshme. Skuadra duhet ti japë drejtim punëve. Ti përgjigjet qytetarëve, të qajë një hall apo të zgjidhë një problem. Të gjithë ta luftojmë nepotizmin dhe klientelizmin. Janë tradhëtia më e madhe ndaj të gjithë fëmijëve të këtij vendi. Duhet të jetë e qartë për gjithë familjen tonë politike, kur dikush që e ka në ballë logon e PS, ekspozohet si përfitues i paligjshëm i të mirave publike faji është i tij, por turpi është i të gjithë neve, nëse nuk e vendosim qartë vijën e kuqe. Duke mos harruar për asnjë çast, kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha as mburoja e askujt që me veprimet e veta cënon PS-në. PS nuk mban përgjegjësi pse një individ shkel mbi vlerat e dhe parimet e saj, por mban përgjegjësi se si reagon ndaj individit në fjalë, duke u distancuar prej atij vetë’- tha Rama.
Kryeministri tha se PD do të hyjë në parlament me një “dhëmballë të prishur”, referuar ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është shpallur “Non Grata” nga SHBA. Kjo dhëmballë tha Rama, “i ka infektuar të gjithë fytyrën PD”.
“Ne duhet të bëjmë çfarë duhet të shtyjmë përpara pa humbur kohë reformat dhe ligjet që shërbejnë për njerëzit. Dora e bashkëpunimit për PD do jetë e shtrirë pa kushte, pavarësisht nga sjellja e saj. Konflikti në debat s’do jetë më kryefjala e parlamentit. Ne duhet të ndryshojmë drejtim sado që ata “i bien fyellit në të njëjtën vrimë”, në vrimën e bërë gropë ku kanë rënë vetë 5 herë.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




