Kryeministri Rama për “The Guardian”: S’e kuptoj se si vendet e pasura po braktisin afganët

Politikë | 5 vite më parë

Kryeministri Edi Rama, ka përsëritur qëndrimin e qeverisë së tij për të strehuar qindra afganë, jo vetëm si detyrim nga NATO-s dhe aleatëve të shqiptarëve, por edhe si mision humanitar.

“Jam i tronditur teksa shoh që njerëz të lënë pas që kërkojnë t’u jepet edhe një mundësi për të marrë frymë sërish. Ne e dimë se çfarë është të jetosh në diktaturë dhe çfarë do të thotë të jesh i huaj që kërkon strehë diku tjetër. Kjo është ajo që ne jemi; është nder dhe detyrë për ne”, deklaroi Rama për “The Guardian”.

Media britanike thotë se udhëheqësit e Shqipërisë dhe të Kosovës deklaruan ditën e diel se kishin pranuar një kërkesë amerikane për të strehuar përkohësisht refugjatë politikë afganë. Vendimet e tyre mbërrijnë në një kohë shqetësimesh se anëtarët e NATO-s nuk po përgjigjen shpejt në evakuimin e afganëve që bashkëpunuan me ta, që janë nën kërcënimin e raprezaljeve talibane.

Rënia e Kabulit rihapi ndasitë e mëdha në Evropës sa u takon refugjatëve, teksa udhëheqësit e BE dhe vendeve anëtare të saj po përgatiten për një valë të re emigrantësh nga Afganistani. Për “The Guardian”, Kryeministri Rama tha “se nuk e kuptonte dot se si vendet e pasura u kishin kthyer shpinën afganëve”.

“Kjo bie ndesh me vlerat që të gjithë predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por as që duam të jemi pjesë e problemit”, tha Rama.

Përllogaritet se në 10 ditët e fundit çdo ditë janë larguar mbi 30 mijë afganë nga vendi, shifër që mund të jetë shumëfishuar pas rënies së Kabulit dhe skenave të regjistruara në aeroportin e tij.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme