Kryeparlamentari Peleshi vizitë zyrtare në SHBA, takon kongresmenin Keith Self: Mbështetje e palëkundur për Partneritetin Strategjik mes dy vendeve

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka nisur vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara me një takim të rëndësishëm në Kongresin Amerikan. Peleshi është pritur nga kongresmeni Keith Self, i cili mban postin e Kryetarit të Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-së, si dhe roli i vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit.
Në krah të Kryeparlamentarit Peleshi ishin deputetë, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Pjesë e takimit ishin kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kreu i PR-së, Fatmir Mediu dhe deputeti demokrat Belind Këlliçi. Nga radhët e socialistëve ishin të pranishëm Damian Gjiknuri dhe Ilir Pendavinji.
Mesazhet e takimit
Përmes një reagimi, Peleshi theksoi se mbështetja e SHBA-së për Shqipërinë mbetet e palëkundur.
“Në Kongresin Amerikan, me kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, forca e Partneritetit Strategjik Shqipëri-SHBA, si dhe angazhimi amerikan për reformat, paqen dhe sigurinë në rajon e në botë, elementë thelbësorë të bashkëpunimit mes dy vendeve.,” shkruan Peleshi në rrjetet sociale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.














