Kryesuesja e OSBE-së takon kryeparlamentaren Nikolla: Thellojmë bashkëpunimin për avancimin e reformave

Politikë | 5 vite më parë

Kryesuesja e OSBE-së Ann Linde ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën. Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarët e Kuvendit, Ermonela Felaj dhe Enkelejd Alibeaj. Siç njofton zyra e shtypit në takim është diskutuar për rrugëtim evropian të Shqipërisë, ndërsa kryesuesja e OSBE-së shprehu vendosmërinë e OSBE-së për të bashkëpunuar me Shqipërinë për avancimin e tre prioriteteve të Organizatës: siguria, demokracia e sundimi i ligjit dhe barazia gjinore.

“Është e rëndësishme që opozita është në Kuvend dhe të gjitha palët shprehin perspektivën dhe qëndrimet e tyre, nëpërmjet dialogut politik dhe respektimit të qëndrimeve e vlerësimeve të ndryshme”, tha Ann Linde.

Nikolla falenderoi Ann Linde për mbështetjen që Suedia i dha Kryesisë shqiptare të OSBE-së si edhe vetë Organizatës, si edhe vlerësoi punën e Kryesisë Suedeze në kryesimin e OSBE-së vitit 2021, nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit, për një Europë më të  qëndrueshme e të sigurt.

“Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë Kuvendi, do të vazhdojnë bashkëpunimin e suksesshëm me OSBE-në për avancimin dhe thellimin e reformave, përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve, konsolidimin e institucioneve demokratike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, promovimin e qeverisjes së mirë dhe forcimin e shoqërisë civile. Me opozitën në Kuvend, si një aset i demokracisë dhe i parlamentit, do të thellojmë bashkëpunimin duke zgjeruar aksesin e saj për të kontribuar në avancimin e reformave”, tha Lindita Nikolla.

Në takim e morën fjalën edhe Alibeaj dhe Felaj, të cilët shprehen qëndrimet e tyre të ndryshme mbi zgjedhjet e 25 prillit dhe funksionimin e institucioneve demokratike. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme