Kryetari i parlamentit iranian: S’e duam luftën, por jemi gati për betejë

Botë | 4 muaj më parë

Kryenegociatori i Iranit dhe Kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se vendi i tij “nuk ka mirëpritur kurrë luftën dhe as tani nuk e mirëpret atë”, por njëkohësisht thekson se Irani duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për betejë.

“Nuk kemi mirëpritur kurrë luftën dhe as tani nuk e mirëpresim atë. Megjithatë, duhet të jemi gjithmonë të përgatitur për betejë dhe të qëndrojmë të fortë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe interesat tona kombëtare”, tha Ghalibaf.

Ai shtoi se Irani duhet të përdorë edhe mjetet e diplomacisë dhe negociatave për të arritur dhe për të konsoliduar interesat kombëtare.

“Negociatat në këtë fazë nuk do të thotë kompromis, por së bashku me luftën janë pjesë e strategjisë së rezistencës dhe mbrojtjes së interesave kombëtare”, theksoi ai.

Në një deklaratë të lëshuar vonë të mërkurën, Ghalibaf theksoi se siguria kombëtare e Iranit qëndron në “ruajtjen e aranzhimeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit”.

Për këtë qëllim, sipas tij, forcat e armatosura iraniane kanë liri të plotë veprimi si gjithmonë për të përballuar agresionin e armikut.

Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta rajonale, ku Irani po përpiqet të ruajë një pozicion të balancuar midis diplomacisë dhe gatishmërisë ushtarake.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme