Kufiri me Kosovën, Serbia vendos trupat ushtarake në gatishmëri të lartë pas tensioneve në rritje

Rajon | 4 vite më parë

Ushtria serbe deklaron se është në “nivelin e saj më të lartë të gatishmërisë luftarake”, pas disa javësh përshkallëzimi të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës.

Presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi se do të “marr të gjitha masat për të mbrojtur popullin tonë dhe për të ruajtur Serbinë”.

Shpërthimi i tensioneve është më i zhurmshëm se kurrë dhe pason pretendimet e disa mediave në Serbi se Prishtina po përgatit “një sulm” ndaj zonave etnike serbe në veri të Kosovës.

Qeveria në Prishtinë nuk ka bërë asnjë koment lidhur me këto akuza, por ka akuzuar Vuçiçin se po luan “lojëra” për të nxitur probleme.

Kosova, e cila ka një shumicë dërrmuese shqiptare etnike, u shkëput nga Serbia pas një lufte në 1998-99. Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. 

Beogradi e akuzon Kosovën për komplot “terrorizmi kundër serbëve”, në zonat ku jetojnë rreth 50,000 serbë etnikë.

Në këmbim, Prishtina thotë se Beogradi qëndron prapa “formacioneve paraushtarake” që vendosën postblloqe në zonat me shumicë serbe në veriun e Kosovës më 10 dhjetor.

Bashkimi Evropian është përpjekur të ndërmjetësojë. Blloku prej 27 anëtarësh po bën thirrje për “përmbajtje maksimale”, dhe që krerët e Serbisë dhe Kosovës “të kontribuojnë personalisht për një zgjidhje politike”.

Beogradi ka rritur praninë ushtarake në kufi ditët e fundit, pas raporteve kontradiktore rreth një incidenti me të shtëna në të cilin nuk pati lëndime.

Pati raportime nga Beogradi për serbët etnikë të dyshuar se janë sulmuar, por ky pretendim u hodh poshtë nga autoritetet e Kosovës.

Serbia duket se po i përdor pretendimet për të justifikuar intensifikimin e pranisë së saj ushtarake në kufi.

Deri më tani, armiqësitë janë kufizuar në fjalë të ashpra, por nga e hëna, Serbia vendosi ushtrinë e saj në gjendje gadishmërie luftarake. 

Kosova ka paralajmëruar se nëse forcat paqeruajtëse të KFOR-it të NATO-s nuk i heqin pengesat, atëherë ajo do ta marrë situatën në duart e veta.

NATO, e cila ka rreth 3700 trupa paqeruajtëse në Kosovë, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin provokimet. Për vite me radhë, trupat e KFOR-it kanë luajtur një rol vendimtar në garantimin e paqes. 

Bashkimi Evropian, i cili ka misionin e saj për sundimin e ligjit në Kosovë, ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë sulme ndaj policisë së BE-së apo akte kriminale.

Është vërtetë një situatë shqetësuese që mund të shpërthejë. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme