Kundërshtari i Lukashenkos, opozitari Babariko rrezikon vite të tëra burg

Botë | 5 vite më parë

Më shumë se një vit pas arrestimit, ish-bankieri dhe figura e shquar e opozitës bjelloruse, Viktor Babariko përballet me një dënim prej 15 vitesh burg ndërsa gjyqi i tij i diskutueshëm në Minsk përfundon sot.

57-vjeçari u pa si kundërshtari më premtues i sundimtarit prej një kohe të gjatë, Aleksandër Lukashenko përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.

Babariko u burgos disa javë para zgjedhjeve të gushtit.

Lukashenko u kishte bërë thirrje haptas autoriteteve të ndërmerrnin veprime kundër sfiduesit të tij.

Prokurorët e akuzojnë atë për pastrim parash, zhvatje dhe evazion fiskal.

Babariko mohon akuzat dhe e quan gjyqin e tij, i cili u prit me kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, një përpjekje për ta bërë atë të heshtë.

Zgjedhjet në gusht, parë gjerësisht si të manipuluara për të rizgjedhur Lukashenkon, shkaktuan protesta masive në Bjellorusi, me pjesëmarrjen e qindra mijëra njerëzve.

Dhjetëra mijëra u arrestuan përkohësisht, qindra u plagosën dhe disa u vranë.

Lukashenko përmendet si diktatori i fundit i Europës.

Bashkimi Europian nuk e njeh më atë si udhëheqësin legjitim të vendit./ATSH


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme