Kundërsulmi ndaj Rusisë, Ukraina njofton për fitoren e parë

Botë | 3 vite më parë

Ukraina njoftoi se trupat e saj kanë bërë përparime territoriale në tre fshatra në juglindje të vendit, vendbanimet e para të çliruara që ka raportuar që nga nisja e një kundërofensive javën e kaluar. 

Forcat e Kievit postuan video që shfaqin ushtarë që ngrenë flamurin ukrainas në një ndërtesë të bombarduar në fshatin Blahodatne në rajonin e Donjeckut, si dhe realizuan fotografi me flamurin e njësisë së tyre në një tjetër fshat aty pranë.

“Po i shohim rezultatet e para të veprimeve kundërsulmuese, rezultate të lokalizuara”, tha Valeryi Shershen, zëdhënëse për sektorin ushtarak “Tavria” të Ukrainës.

Ndërsa Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar tha se forcat ukrainase kishin çliruar edhe një tjetër fshat në jug, duke përparuar midis thuaje 1500 metra në dy drejtime në frontin jugor. “Asnjë pozicion nuk humbi në drejtimet ku forcat tona janë në mbrojtje”, shtoi Maliar në Telegram.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se një shtytje ushtarake ukrainase ishte duke u zhvilluar, por se ajo kishte dështuar të shkelte linjat mbrojtëse ruse dhe kishte shkaktuar shumë viktima.

Por, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nga ana tjetër,lavdëroi trupat ushtarake ukrainase gjatë paraqitjes së tij të përditshme me video.  “Sigurisht, u jam mirënjohës ushtarëve tanë për këtë ditë”, tha Zelensky, duke iu referuar vetëm dy sektorëve kryesorë të luftimeve në lindje dhe jug. 

Teksa Rusia pretendon se ka pushtuar qytetin e Bahmutit muajin e kaluar pas betejës më vdekjeprurëse të pushtimit të saj në shkurt të vitit 2022, Kievi pohon se ka rimarrë territorin në periferi të qytetit.

Rajoni juglindor, i cili aktualisht është i pushtuar nga Rusia, shihet si një objektiv kryesor i mundshëm për forcat e Kievit. Qëllimi i tyre është të ndërpresin potencialisht lidhjen tokësore të Rusisë me gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe të ndajnë forcat ruse në dy pjesë.

Gazetar Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme