Kupa e Ligës: eliminohet Junajtid, kualifikohen me vështirësi

Pas 10 ndeshjeve të para, të luajtura të martën, Kupa e Ligës Angleze, që është një tjetër ekskluzivitet i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, ka vijuar të mërkurën me 6 ndeshjet e tjera të turit të 32-shes. Dhe, ndërsa pati sjellë të martën dy prej sfidave më të spikatura, transmetuesi publik ka vijuar të sjellë për sportdashësit 3 sfida prej sfidave të së mërkurës. Kështu, në RTSH Sport ka ardhur drejtpërdrejt për sportdashësit superdueli Mançester Junajtid-Uest Hem, në RTSH 2 një tjetër duel interesant, siç ishte ai midis Vulverhempton Uondërërs dhe Totenhemit, ndërsa në RTSH 1 përballja Çellsi-Aston Vila. Në “Olld Traford”, kanë qenë miqtë që e kanë nisur më mirë, duke gjetur edhe golin me Lanzinin, që e kalon Uest Hemin në epërsi pas vetëm 9 minutash lojë.
Pavarsisht se Mançester Junajtid hidhet në sulm dhe këmbëngul deri në fund, dhe rastet nuk kanë munguar, pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të londinezëve. Pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë dhe “Djajtë e kuq” eliminohen nga kjo veprimtari, ndërsa Uest Hemi vijon më tej në turin e 16-shes. Ndërkaq, një tjetër skuadër londineze, Totenhemi, e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi, me shifrat 2-1, pasi fillimisht Ndombele dhe më pas Herri Kejn, kanë gjetur rrugën e rrjetës brenda 23 minutave të para. Megjithatë, 7 minuta para fundit të pjesës së parë, është Dendonker shkurton largësinë e golave për Vulverhempton Uondërërs.
Skuadra vendase do të vijojë të barazojë shifrat në çerekoren e parë dhe në barazim 2-2 do të mbyllen 90 minutat e kohës së rregullt, duke bërë që fati i kësaj ndeshjeje të vendosej nga pika e bardhë e 11-metërshve. Aty ku vendasit kanë shënuar dy të parat por kanë kanë humbur 3 goditjet e tjera, ndërsa Totenhemi realizon 3 dhe vijon kështu për në turin tjetër të kësaj veprimtarie. Ndërkaq, nevojë për lotarinë e 11-metërshve ka patur edhe një tjetër përballje, ajo e luajtur në “Stemford Bridxh” midis Çellsit dhe Aston Vilës.
Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën, ka shënuar fillimisht Timo Verner për londinezët, në minutën e 54-t, ndërsa 10 minuta më pas Arçer ka barazuar shifrat për birmingamasit. Kësisoj, në barazim 1-1 do të mbyllen 90 minutat e kohës së rregullt, duke bërë që fati i kësaj ndeshjeje të vendosej nga pika e bardhë e 11-metërshve. Aty ku vendasit kanë shënuar 4 nga 5 goditjet e tyre dhe Aston Vila vetëm 3 nga 5 dhe është Çellsi që vijon kështu për në turin tjetër të Kupës së Ligës Angleze.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




