Kush i përfiton të ardhurat nga eksportet bujqësore?

Ekonomi | 5 vite më parë

Prodhimet dhe eksportet sgqiptare kanë filluar të rriten. Shqipëria është vendi i parë në rajon për prodhimin e perimeve dhe i dyti, pas Serbisë, për prodhimin e frutave. Qeveria ka projektuar rritjen e eksporteve bujqësore në 1 miliardë e 200 milionë euro. Por fluksi i lartë i eksporteve po pakëson ofertën në tregun vendas, duke sjellë rritjen e çmimeve.  Por Kush i përfiton të ardhurat nga kjo rritje e eksporteve bujqësore?
Matriali në vazhdim është përgatitur ng gazetari i RTSH Bardhi Sejdarasi.

Disa muaj më parë, Programi Botëror i Ushqimit (FAO) e renditi Shqipërinë në vendin e parë në rajon për prodhimin e perimeve dhe të dytin, pas Serbisë për prodhimin e frutave. Shqipëria në dy vitet e fundit hyri në një trend rritës të eksporteve.
Qeveria thotë se eksportet bujqësore do t’i afrohet shifrës një milliard euro. 
Gjatët vitit 2020 eksportet e prodhimeve bujqësore shënuan rritje me 14%. 
Produktet e domates zënë peshën më të madhe të eksportit, rreth 20.7 %. 
Më pas renditen prodhimet e pjeprit e shalqirit, kastravecët, prodhime për të cilat Shqipëria zë vendin e parë në rajon.
 
Në vitin 2020 Prodhimi i Brendshëm Bruto u shtua me vetëm 0.5%, por eksportet e ushqimeve u rritën në rekorde historike në tre dekadat e fundit.
Vlera arriti në 39 miliardë lekë. 
Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2021, janë nisur më shumë se 9 mijë ngarkesa për 123 mijë ton prodhime bujqësore. 
Me gjithë zgjerimin e eksporteve, bujqësia vijon të jetë sektori më pak produktiv i ekonomisë. Specialistët vlerësojnë se rritja e të ardhurave nga shitjet po shkon më shumë te zinxhirët e furnizimit se sa te prodhuesit. Fitimet e prodhuesve mbeten të ulëta. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në bujqësi ishte rreth 32 mijë lekë, ose 40% më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi.

Kush i përfiton të ardhurat e konsiderueshme nga eksportet bujqësore? 
Nga treguesit e mësipërm duket se, ndërsa eksportet janë në rritje, prodhuesit dalin  me humbje. 
Sipas statistikave nga Ministria e Bujqësisë, në Shqipëri numërohen aktualisht rreth 350 mijë ferma. Një fermë rezulton fitimprurëse nëse gjeneron të ardhura të mjaftueshme për të punësuar të paktën dy persona me kohë të plotë në pagë minimale dhe për të kursyer mënjanë investimet që duhen për fara, plehra dhe punë të tjera, që do të thotë të paktën 5 000 euro në vit.
Ekspertët e bujqësisë në vend kanë arritur në konkluzionin se një fermë duhet të jetë të paktën 3 ha, në rastin e perimeve ose frutave që të prodhojë për treg. Nga të dhënat statistikore të Ministrisë së Bujqësisë, vetëm 14% e fermave kanë potencialin për të qenë të orientuara drejt tregut për kulturat bujqësore. Pothuajse gjysma e fermave gjenerojnë midis 750 dhe 3000 euro, vlerë e cila është shumë e ulët. Tre të katërtat e familjeve gjenerojnë të ardhura të ulëta nga bujqësia, shumë më poshtë se kufiri i fermës ekonomikisht të qëndrueshme.
Një e keqe tjetër e eksporteve të rritura, që nuk prodhojnë sa duhet të ardhura për fermerët, është edhe pakësimi i ofertës në tregun vendas. Të dhënat e INSAT tregojnë se gjatë korrikut çmimet e zarzavateve, kryesisht domates dhe patateve, pësuan rritje vjetore 17 për qind. Ky ritëm ishte më i larti që nga shkurti 2019, ku çmimet e këtij grupi pësuan rritje me 26%. Në kulmin e prodhimit vendas një kilogram domate po arrin mbi 100 lekë për kilogram nga rreth 50 lekë që ishte në fillim të sezonit. Përveç tregtarëve që fitojnë, humbësit e mëdhenj janë konsumatorët shqiptarë, jo vetëm nga çmimi, por edhe nga cilësia, dhe sidomos fermerët, “kokoshi” i të cilëve ka mbetur “një thelë”!

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme