Kushtetuesja çertifikoi lokalet e 30 qershorit, PS: Mësim historik, fjala sovran s’është fjalë boshe

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, që rrëzoi pretendimet e opozitës, duke çertifikuar ligjshmërinë e tyre. Në një postim në Facebook, Balla shkruan se 30 qershori i 2019 do të cilësohet si dita e “mësimit historik se fjala sovran nuk është një fjalë boshe dhe askush me kurrë s’mund te tentojë t’ia marrë popullit sovranitetin”. Sipas Ballës, ato zgjedhje vendosën përfundimisht popullin mbi partitë.
“Si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila certifikoi plotësisht ligjshmërinë e Zgjedhjeve Vendore të 30 Qershorit 2019. 30 Qershori 2019 u certifikua si dita e mësimit historik se fjala sovran nuk është një fjale boshe dhe askush me kurrë s’mund te tentoje t’ia marre popullit sovranitetin për interesa të ulëta dhe hesape të turpshme politike. 30 Qershori 2019 ishte dita e njerëzve të zakonshëm, që pavarësisht votojnë apo nuk votojnë, respektojnë të drejtën e tyre themelore për të zgjedhur dhe kurrë nuk mund të detyrohen nga askush të heqin dore nga kjo e drejte. Ato zgjedhje vendosën përfundimisht popullin mbi partitë dhe për të mbyllur përfundimisht një histori të gjatë lojërash të partive me popullin. Mbajtja e zgjedhjeve në datën e përcaktuar nga Kushtetuta, ishte një meritë e të gjitha institucioneve të cilat Ligji themelor dhe ligjet e tjera ngarkojnë me organizimin e zgjedhjeve. Natyrshëm Kuvendi i Shqipërisë ka një meritë të veçantë, sepse mori përgjegjësitë e duhura me qëndrimin e prerë në respekt të ligjshmërisë”, shkruan Balla.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




