Kushtetuesja kthen në Kuvend çështjen e mandatit të Xhaçkës, Bardhi: Akti i parë i betejës

“Vetëm akti i parë i betejës”, e ka konsideruar deputeti i PD, Gazment Bardhi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që çështja e mandatit të Xhaçkës të kthehet sërish në Kuvend. Në një postim në Facebook, ai shkruan se ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Për Bardhin përfituesit në mënyrë antiligjore nga pasuritë publike duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit. Kërkesa jonë që vendimi për vlefshmërinë e mandatit te deputetit i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese u pranua. Tani, Edi Ramës i duhet ta dorëzojë investitoren e vet strategjike me mandat deputeti para Gjykatës Kushtetuese.
Ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Kush përfiton në mënyrë antiligjore nga pasuritë publike duhet të mbajë përgjegjësi!
Trajtimi i pasurisë kombëtare si plaçkë personale e Kryeministrit për ministrat dhe familjarët e tyre duhet të ndëshkohet. Ky është vendimi që presin qytetarët nga drejtësia!”, shkruan Bardhi.
Kushtetuesja ka vendosur të pranojë kërkesën e grupit të Alibeaj dhe të konsiderojë të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit, i cili nuk miratoi kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për mandatin e Olta Xhaçkës. Sipas këtij vendimi, Kuvendi detyrohet që të shprehet me votim për mandatin e Xhaçkës dhe më pas Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë në themel ligjshmërinë e mandatit. Ndëkohë gjyqtarët kanë rrëzuar kërkesën tjetër të PD, e cila kërkonte heqjen e menjëhershme e mandatit të deputetes, për shkak të papajtueshmërisë me Kushtetutën. “Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendimin e Kushtetutës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




