Kushtetuesja mblidhet nesër për Xhaçkën, Berisha: Rama po ushtron presion mbi gjyqtarët! Tërheqja e ankimimit nga Alibeaj, tallje

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama, se po ushtron presion mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mbi vendimin që pritet të merret të mërkurën (18 janar) mbi vendimin e Kuvendit për mandatin e deputetes së ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropës, Olta Xhaçka. Opozita akuzon Xhaçkën se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit. Berisha u ka bërë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që ta shqyrtojnë këtë çështje me paanësi dhe bazuar në Kushtetutën e vendit.
“E rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amand Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës, për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e GJK në vendimin e tyre. Ky grup i strukturuar, ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të GJK me qëllim që të përligjin grabitjen nënpërmjet firmës së Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj të statusit investitor strategjik së paku të 5 mln euro favore. Kushtetuta e Shqipërisë ka qindra nene, por një nga këto nene do e quaja nenin e artë të saj, dhe është neni që nuk lejon në mënyrë kategorike deputetët dhe ministra të pasurohen nga pasuritë publike gjatë periudhës që ushtrojnë detyra apo burime të tjera përveç rrogës. Ky nën është shkelur në mënyrën më flagrante kur ministrja Xhaçka siguron për burrine saj strategjik statusin e investitorit strategjik. Ministrja Xhaçka, kryen vepra të rënda penale, implikon kunatën e saj amerikane me banim në Boston në aferën e tmerrshme korruptive. Josifi, njeriu që ka vjedhur 2.2 bilione euro i lidhur me Olsin dhe Oltën dhe Artan Gaçen, ka mobilizuar potenciolin financiar për të ndikuar në vendimin e GJK. Unë jam sot para jush për t’iu bërë thirrje gjykatësve, të gjykojnë nesër me paanësi, bazuar në ndërgjegjien e tyre në interesin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit.
Gjykimi i nesërm, është një provë e fuqishme e triumfit të Kushtetutës dhe neneve të saj dhe dështimit për faqe të zezë të grupit të strukturuar kriminal që po ushtron ndikimin, në këtë vendim të një anësie të jashtëzakonshme për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.
Më tej, pyetur mbi tërheqjen e ankimimit nga grupimi i Alibeajt për bashkimin e dy statuteve, Berisha deklaroi se është një tallje me vetveten. Sipas Berishës, me tërheqjen e sotme, Alibeaj ka pranuar Kuvendin e 11 dhjetorit.
“Alibasha tallet me veten e tij. Kur dëgjova që Alibasha deklaroi se u zvarrit, në një kohë kur ishte avokati i tyre që katër seanca, ose gjykata përdorte si pretekst se nuk e di si kombinohen me Ramën, kësaj i thonë të tallesh me veten. Kurse vendimi i Gjykatës së Tiranës është një vendim i prerë, i cili automatikisht duhej regjistruar në regjistrin e partive.
Rama ka marrë peng gjykatën dhe nuk lejon regjistrimin. Alibasha, në asnjë vend të botës, përveç në drejtësinë e Edi Ramës, nuk mund të bëhet palë në një proces që nuk ka qenë palë.
Kjo ndodh për herë të parë në historinë e botës. Është absolutisht i pavlerë. Alibasha ka të drejtë, ai dhe çdo qytetar, të shkojë në gjykatën e faktit, dhe për çdo objeksion apo provë, të hapë një proces të ri, por jo të bëhet palë. Kjo ndodh në drejtësinë qesharake të Ramës, që vepron si në diktaturë, që pengon regjistrimin që është automatik dhe i padiskutueshëm të vendimit të gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit.
Duke u tërhequr nga Kuvendi i 18 dhjetorit, Alibasha de facto pranoi Kuvendin e 11 dhjetorit. Por ai zbaton urdhrat e Edi Ramës. Ata janë të pavlerë, që keqpërdoren nga një njeri që nuk ka asnjë parim, nuk respekton asnjë parim, asnjë ligj, asnjë normë”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




