Kuvend/ Rama-opozitës: PD është financuar me para ruse dhe dihet botërisht! Berisha mbronte Bashën në atë kohë

Çështja e financimeve ruse në PD, në kohën kur kjo drejtohej nga Lulzim Basha, është bërë objekt debatesh në seancën e sotme plenare në Kuvend, ndërsa kryeministri Edi Rama, drejtuar deputetëve të opozitës, theksoi se një gjë e tillë ka ndodhur dhe se dihet botërisht.
Ai akuzoi kreun e PD, të zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, se e dinte një fakt të tillë, por në kohën kur kjo u bë publike, zgjodhi të mbronte Bashën.
Duke mos dhënë detaje, Rama paralajmëroi se ka “më shumë se kaq”, por pa sqaruar se për çfarë bëhet fjalë.
“Keni qenë po ju në atë kohë që bëtë betime hiperbetime për virgjërinë e Lulit. Që PD është financuar me para ruse, kjo dihet është botërisht e njohur, fakt i dalë në atë kohë, i mohuar kategorikisht nga ju. Fjalimi juaj atëherë ishte tjetër dhe garancia absolute vinte gjithmonë andej nga vinte për gjithë ato vite rresht, mos ma prekni Lulin. Kush e thoshte, unë e thosha? Ato para, financim i paligjshëm i partisë kanë hyrë me dijeninë e plotë të një grushti njerëzish dhe tani ai grusht është ndarë, por ka më shumë se aq dhe unë do ju sugjeroja të mos nxitoni me deklarata që mund t’ju bien prap ndesh dhe detyroheni të ktheheni të merrni një pozicion të tretë e të katërt”, tha Rama.
SHBA publikoi një raport ku pretendohej se Partia Demokratike kishte marrë 500 mijë dollarë nga Rusia në zgjedhjet e vitit 2017. Sipas një zyrtari të lartë të administratës së Joe Biden, Rusia ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende dhe ka financuar me 500,000 dollarë Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017. Lulzim Basha, kreu i PD-së në atë kohë, reagoi duke hedhur poshtë pretendimet dhe duke theksuar se PD nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




