Kuvendi i përkrahësve të Berishës shkarkon strukturat e PD: Në 18 dhjetor referendum për largimin e Bashës!

Politikë | 5 vite më parë

Komisioni që po drejton punimet e Kuvendit Kombëtar të iniciuar nga Sali Berisha ka vendosur të hedhi poshtë disa nga vendimet e fundit të kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Kreu i komisionit, Belind Këlliçi, hodhi në votim një vendim për shkarkimin e të gjithë strukturës drejtues të Partisë Demokratike.

Përveç shkarkimit të Bashës, do të shkarkohen nënkryetarët e PD, Sekretari i Përgjithshëm, si dhe Kryesia e partisë.

Sipas komisionit vendimi merret me arsye sepse strukturat drejtuese nuk janë zgjedhur sipas statutit, por janë emëruar nga kryetari Basha në kundërshtim me statutin.

Kryetari i këtij komisioni, Belind Këlliçi, deklaroi se në datën 18 Dhjetor, në të njëjtën ditë kur në fakt Lulzim Basha ka lajmëruar mbajtjen e Kuvendit të PD, do të mbahet një referendum në të gjitha degët e Partisë Demokratike në Shqipëri, ku do të votohet nëse janë dakord ose jo me shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD.

“Kuvendi i PD vendosi:

1.Të votojë me votim të fshehtë të delegatëve për shkarkimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për thyerje të rënda të statutit të PD, përvetësim të kompetencave të organeve qëndrore të PD, dhe dëmtim të rëndë të interesave politike dhe elektorale të saj. Votimi të kryhet gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit të datës 11 Dhjetor 2021.

2. Fleta e votimit të përmbajë pyetjen: A jeni dakord me shkarkimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha? Fleta e votimit të përmbajë përgjigjet alternative: Po (dakord me shkarkimin) dhe Jo (kundër shkarkimit).

3. Vendimmarrja e dalë nga Kuvendi Kombëtar të ratifikohet nëpërmjet një referendumi në të gjithë anëtarësinë e PD i cili do të mbahet në datën 18 Dhjetor 2021 në të gjitha degët e PD të Shqipërisë.

4.Fleta e votimit në referendum sipas pikës 3 të përmbajë pyetjen: A jeni dakord me vendimin e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha? Fleta e votimit në referendum të përmbajë përgjigjet alternative: Po (dakord me shkarkimin) dhe Jo (kundër shkarkimit). Ky vendim miratohet me vendim të hapur dhe hyn në fuqi menjëherë”, deklaroi Belind Këlliçi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme